PDS-ja: Berisha të heqë dorë nga shantazhet
TIRANË- PDS-ja ka përshëndetur dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë". Në një deklaratë për shtyp, PDS-ja thekson se Kryeministri Sali Berisha duhet të heqë dorë nga shantazhi që po i bën kësaj hallke të rëndësishme të shtetit ligjor. "Kryeministri Berisha duhet të heqë dorë nga këto veprime dëshpëruese, që kanë si qëllim të vetëm goditjen e prokurorisë dhe organeve të tjera shtetërore. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha që të mos bëjë demagogji me tezën e antikomunizmit, një histori që Shqipëria dhe të rinjtë e saj e kanë lënë pas me kohë. Kryeministri Berisha bën mirë që të fokusohet në problemet reale që shqetësojnë sot rininë e vendit dhe t'i krijojë asaj kushte të favorshme, si ato të vendeve ku aspirojnë të bëjnë pjesë",- thuhet në njoftimin për shtyp të PDS-së.
Deputetë të PD-së: Referendum për ligjin
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka folur gjatë dje edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Berisha ka kërkuar mendim nga deputetët lidhur me hapat ligjorë që mund të ndërmerren pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por përgjigjet kanë qenë nga më të vakëtat, deri edhe në hedhjen e ligjit me referendum. Por, shija e hidhur e dështimit të referendumit, pikërisht në '94-ën, ashtu si edhe mungesa e mënyrës ligjore se si mund të arrihet një gjë e tillë, i kanë lënë një shije të hidhur Kryeministrit të vendit, aq sa, pa asnjë hezitim e ka kundërshtuar dje, duke theksuar se e kishte provuar një herë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, deputetët e PD-së pak kanë mundur që të asistojnë në hapat ligjorë që mund të merren, pasi në të vërtetë askush nuk mund të vërë në dyshim një vendim që del pikërisht nga Gjykata Kushtetuese, dhe se ajo është e formës së prerë dhe e detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjithë.