E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç prokurorisë: Prisni letër porositë për transfertat

Një ditë pasi deklaroi lidhjet me Argita Berishën dhe kunatin e Bashës, serbo- boshnjaku refuzon t'iu përgjigjet pyetjeve të prokurorisë

Pas dy ditëve qëndrimi në kryeqytet, Fazlliç pritet të lërë vendin tonë, pa iu dhënë asnjë shpjegim hetuesve për dyshimet e tyre

TIRANË- Për herë të dytë në më pak se 16 orë, biznesmeni i përfolur për afera të larjes së parave, serbo- boshnjaku, Damir Fazlliç, la pas dyert e prokurorisë së kryeqytetit, pa dhënë shumë sqarime në lidhje me kërkesat e organit të akuzës.


Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç refuzoi mesditën e djeshme t'i përgjigjet pyetjeve të prokurorëve, në lidhje me bizneset dhe transaksionet bankare të kryera nga Qipro në Shqipëri e më pas në Zvicër e Bosnje.


Ai iu kërkoi hetuesve, të presin ardhjen e letër-porosive të dërguara nga akuza në këto shtete. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij organi, mësohet se në deklarimet e tij, personi nën hetim, Fazlliç, ka preferuar të "driblojë" prokurorët, duke mos iu përgjigjur pyetjeve konkrete në lidhje me bizneset e administruara nga ai vetë dhe ortakëritë e tij në shoqëritë e tjera jashtë Shqipërisë.

"Pyetjeve të prokurorëve Dritan Rreshka e Besnik Cani, në lidhje me bizneset e tij dhe ortakëritë në kompani të ndryshme në Qipro, Bosnje, Austri, Zvicër, Angli e SHBA, serbo- boshnjaku, pas këshillimit me avokatët e tij shqiptarë, nuk ka preferuar t'iu përgjigjet.",- tha një burim pranë Prokurorisë së Tiranës.


Fazlliç, u paraqit dje sërish në prokurorinë e Tiranës për të marrë në gjuhën angleze, një kopje të deklarimeve të tij të dhëna një ditë më parë, të cilat ishin përkthyer nga prokuroria. Sakaq Fazlliç hodhi firmën e tij mbi këto deklarime ndërsa hetuesit përfituan ta pyesin atë sërish, por hasën në refuzim të tij.

Këto refuzime i hetuari Fazlliç, i ka argumentuar me fjalët: Nuk preferoj t'i përgjigjem kësaj pyetjeje sipas të drejtës që ma njeh ligji. Këto përgjigje prisni t'i merrni, pas ardhjes së përgjigjeve të letër-porosive që Prokuroria shqiptare me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë i ka dërguar në këto shtete që ju i përmendët",- mësohet të ketë deklaruar Fazllic, të cilit i janë referuar burime të akuzës.

Mësohet gjithashtu, se "miku" i kryeministrit nuk ka pranuar t'iu përgjigjet edhe pyetjeve në lidhje me identifikimin e personave apo shoqërive me të cilat është ortakë në biznese të ndryshme jashtë Shqipërisë.

"Edhe pyetjes në lidhje me ortakëritë e mundshme që ai ka me kompaninë austriake "Rudnup"; "Altarie Reserach Limited" dhe disa të tjera të zbuluara nga hetimi, personi nën hetim Damir Fazlliç ka refuzuar t'i përgjigjet, duke përdorur të njëjtin argument atë të pritjes së përgjigjeve të letër-porosive.


"Ku ka kërkuar nga prokurorët, sipas të drejtës që i njeh ligji, të mos përgjigjet në këto pyetjet konkrete",- pohuan burime nga hetimi.


Gjithashtu, Fazlliç nuk ka preferuar të flasë, edhe kur dy prokurorët Cani e Rreshka, i kanë vënë në dispozicion një kopje të transaksioneve bankare me vlerë prej 1 milion e 750 mijë euro, të kryera nga Qipro në Shqipëri.


Këto para më pas janë dërguar në Zvicër dhe Bosnje. Pas këtyre refuzimeve dhe pas një orë e 35 minuta, personi nën hetim është njohur me një kopje të procesverbalit të deklarimeve të tij e renditur në rreth 7 faqe format A4 në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Pasi i ka lexuar, ai i ka firmosur pa ndonjë kundërshtim në prani të dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj e Ibrahim Lahi. Pas firmosjes së këtyre procesverbaleve, ku kanë hedhur firmën në çdo faqe edhe prokurorët e çështjes, si dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, që ka asistuar në marrjen në pyetje të tij, i hetuari për pastrim parash, ka marrë një kopje të deklarimeve të dhëna dhe ka lënë ambientet e prokurorisë së kryeqytetit, për të vazhduar programin e tij.

------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Fazlliç në Tiranë
Veturë luksoze amerikane, dhomë normale "Sheraton"

Biznesmeni serbo- boshnjak, që mban gjithashtu edhe shtetësinë britanike, në daljen kryesore të organit të akuzës, është pritur nga shoferi i shoqërive të tij në Shqipëri.


Ai hyri në autoveturën e tij luksoze të markës "Lincoln", ndërsa shoqërohej gjatë gjithë kohës nga një fuoristradë e markës "Mercedez- Benz", e tipit ML.


Pas një deklarate të shkurtër, Fazlliç, u largua sërish në drejtim të hotel "Sheraton", ku ai po qëndron prej të hënës, kur mbërriti në aeroportin e Rinasit, me një avion çarter. Burime të "Shekullit" thanë se Fazlliç, kishte prenotuar në hotelin luksoz në jug të kryeqytetit, dhomën me numër 421, me pamje nga pjesa Tirana.

"Nuk e kemi parë fare të lëvizë, pasi ka hyrë në dhomë", pohoi një burim për "Shekullin". Sipas tij, Fazlliç, ka qëndruar thuajse gjatë gjithë kohës në dhomën e tij dhe nuk ka dalë fare, përveç momentit kur është paraqitur në prokurori dhe kur është kthyer.


Ndërkaq mësohet se në dhomën e tij, me nr. 421, asnjë person nuk e ka vizituar dhe ai ka qenë gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në dhomë vetëm Ambienti i prenotuar nga serbo-boshnjaku në "Sheraton", mësohet se ka qenë në katin e katërt dhe për punonjësit hotelit, cilësohej në nivelin normal.


Të njëjtat burime, pohuan se pritet që gjatë ditës së sotme klienti "VIP", të dorëzojë çelësat në sportelin e "Sheraton". "Ai duhet të bëjë dorëzimet e dhomës" paraditen e nesërme (sot), tha për "Shekullin", një burim nga hoteli që sheh nga kodrat e Liqenit Artificial. Ashtu sikurse edhe kur erdhi dhe gjatë këtyre ditëve, "Lincolni" i zi, i shoqëruar nga fuoristrada "ML", pritet ta dërgojë në aeroportin e Rinasit, për t'u nisur në destinacionin e tij, për të vazhduar biznesnet.

---------------------------------------------------------------------------------------------------------

Urdhri
Ina Rama; Mbani sekret hetimin


Kryeprokurorja e vendit, znj. Ina Rama, mësohet se ka urdhëruar vartësit , të mos japin asnjë të dhënë për mediat në lidhje me çështjen hetimore në ngarkim të Fazlliç. Rama, mësohet se iu ka pohuar vartësve të saj që hetimin e njeriut që dyshohet për pastrim të produkteve të krimit ta mbanin tërësisht sekrete larg syve të medias, për shkak të vetë karakterit të saj.


Deklarimi
Erdha të marr aktet
"Erdha për të marrë një kopje të akteve që kam thënë mbrëmë para prokurorisë. Sot (dje) nuk kam asgjë për të thënë për mediat",- deklaroi Fazlliç, duke u larguar me një autoveturë të markës amerikane "Lincoln" nga Prokuroria e Tiranës. Ai qe i shoqëruar nga dy avokatët shqiptarë, Ibrahim Lahi dhe Genc Gjokutaj. Gjithashtu edhe këta të fundit nuk pranuan të bëjnë ndonjë koment për mediat.


Bleu 14 hektarë tokë me 14 euro m2 në Porto Romano


I kthyer tashmë, në një nga hetimet më të rëndësishme të Prokurorisë, Fazlliç, është bërë pronar i një sipërfaqeje prej 14 hektarësh në një zonë bregdetare në Durrës, në Porto Romano. Njësia Task-Force-s së prokurorisë së Tiranës pas hetimeve 4- mujore ka mundur të zbardhë të gjitha kontratat e shit-blerjes së dy parcelave në fshatin "Rinia" të komunës Porto Romano në Durrës, ku serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka blerë 14 hektarë tokë.


Kjo pasi akuza ka sekuestruar të gjitha kontratat shit-blerjes së kryera prej tij me pronarët e tokës. Nga kjo ka rezultuar se kompania e drejtuar nga shtetasi Damir Fazlliç "Croën Acquisition" ka blerë 140 mijë metra katror truall në dy parcela në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës. Më pas ajo është shitur tek kompania po në pronësi të Fazlliç, me seli në Qipro, "Altarie Reserach Limited". Kjo sipërfaqe e tokës, sipas kontratave, është blerë me shumën e rreth 2 milionë eurove, që nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 1 metër katror është blerë nga Fazlliç me 14 euro. Dyshohet se kjo shumë qesharake është vlerësuar pas "mashtrimit" të pronarëve të tokës që prona e tyre nuk është e vlefshme pasi është e helmuar. Sipas akuzës, kompania e personit në hetim serbo-boshnjakut Damir Fazlliç "Croën Acquisition" i ka blerë këto prona në dy parcela, ku njëra prej tyre ka kushtuar 900 mijë euro dhe tjetra rreth 1 milion e 75 mijë euro, ku në total kap një sipërfaqe prej 140 mijë metrave katror.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›