E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Parandalimi i përmbytjeve, 13.02 miliardë lekë investime

10/12/2010  Pezullimi i punimeve parlamentare, kreu socialist akuza Berishës e Topallit

Anulimi i punimeve parlamentare të ditës së djeshme solli reagimin e ashpër të Partisë Socialiste në adresë të mazhorancës qeverisëse. Kjo, pasi ligjvënësit socialistë kishin parashikuar që gjatë kësaj seance të diskutohej për propozimet e tyre lidhur me rishikimin e buxhetit të vitit 2011, për shkak të përmbytjeve që ndodhën në ditët që lamë pas në shumë zona të vendit. Njëkohësisht, po gjatë këtyre punimeve, grupi kuvendor i PS-së do të kërkonte një plan radikal për shmangien e katastrofave ujore, duke parashikuar dhe vlerën në lekë të investimeve që do të bënin të mundur realizimin e këtij qëllimi. Kështu, referuar një situatë të tillë, kreu socialist Edi Rama e konsideroi pezullimin e punimeve të Kuvendit si një dëshmi e qartë për përgjegjësit e vërtetë të përmbytjeve në vend. “Pezullimi i seancës së Kuvendit kishte një qëllim: mbylljen e gojës të opozitës për programin e saj radikal që rehabiliton vendin, si dhe dëshmoi qartë se qeveria nuk ka asnjë vizion dhe asnjë program të qartë se si përballon situatën me përmbytjet”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij, lidhur me një çështje të tillë. Gjithashtu, qëndruar po në këtë situatë, kryetari i PS-së bëri me dije se “opozita do kërkonte plan konkret radikal me qëllim ndërhyrjen për të shmangur përmbytjet. Saliu dhe Jozefina mbyllën parlamentin për të mos u përballur me propozimin e opozitës. Por faji i qeverisë për përmbytjen nga Shkodra në Vlorë nuk mbulohet me mbylljen e parlamentit, as duke treguar gishtin nga Zoti dhe nga opozita, që, sipas tyre, nuk mbyll gojën. Të gjithë e dinë që kjo qeveri i ka lënë në baltë dhe i zhyti në mjerim. Mbyllja e parlamentit sot është shprehje kuptimplotë e kësaj zhytjeje”. Njëkohësisht, sipas tij, opozita ka një plan radikal, i cili do të ishte dhe shpëtimi për situata të tilla në vend. “Plot 13.02 miliardë lekë nga investimet kapitale të buxhetit për vitin 2011 do të garantonin suksesin e këtij operacioni të realizuar për vitin e ardhshëm dhe do të hapnin një fazë shumë të vonuar për rehabilitimin e vendit për të parandaluar çdo përmbytje në nivelin e reshjeve të këtij viti apo më shumë se ky nivel. Kjo është e vërteta faktike e diskutuar nga ekspertë të fushës”, nënvizoi Rama, sa i takon kësaj çështjeje. Po kështu, kreu socialist nuk kurseu dhe akuza ndaj ministrit të Energjetikës, Ilir Meta. “Mjaft u sakrifikuan njerëzit dhe ekonomia nga loja e qeverisë nga shitblerja e energjisë. Ilir Meta të japë llogari për përmbytjen më të keqe nga hera e kaluar, dhe për tregtinë me energjinë”, deklaroi Rama.

Përmbytjet në vend

Opozita e bashkuar anulon protestat qytetare

Opozita e bashkuar ka vendosur anulimin e protestave qytetare kundër qeverisë “Berisha”. Kështu, mësohet se për shkak të përmbytjeve në shumë zona të vendit, përfaqësuesit e këtij kampi kanë vendosur që të ndërpresin organizimin e këtyre tubimeve, duke u përqendruar në gjendjen e vështirë që ndodhen aktualisht të prekurit nga katastrofa ujore. Por nga ana tjetër, veç ndihmës për të përmirësuar situatën kritike në të cilën ndodhen këto zona, kampi opozitar, më konkretisht Partia Socialiste ka bërë publik dhe draftprojektin, i cili do të bënte të mundur dhe parandalimin e përmbytjeve në të tilla përmasa, siç u panë këtë herë. Në këtë mënyrë, aksioni politik, ku në qendër ishin protestat nën moton “Berisha dështoi, transparencë, transparencë”, do të ndërpritet deri në një vendim të dytë të drejtuesve të partive anëtare të opozitës së bashkuar. Për rrjedhojë dhe protesta e planifikuar për tu organizuar gjatë pasdites së sotme në Vlorë nga kampi i majtë është anuluar. Ndërkohë që nga ana e tij, kreu socialist Edi Rama, gjatë konferencës së djeshme për shtyp iu kundërpërgjigj zërave kritikë si nga radhët e mazhorancës, ashtu dhe brenda PS, të cilët e cilësuan si të përshtatshëm momentin për të zhvilluar aksionet politike, siç ishte protesta në Pogradec apo zhvillimi i zgjedhjeve për drejtuesin e PS-së dega Shkodër. “Se çfarë bëjmë në jetën tonë të brendshme organizative dhe në ato detyra e detyrime që janë pjesë e jetës sonë si opozitë, nuk është as çështje dhe as punë e qeverisë. Qeveria ka lënë shqiptarët në baltë dhe duhet të japë llogari për pse-në e lënies në baltë. Të gjitha këto të tjerat janë përpjekje të shëmtuara për të shmangur vëmendjen dhe për të mbuluar atë që nuk mbulohet dot” dështimin e plotë të Saliut dhe faktin se kjo qeveri i ka lënë shqiptarët në baltë, dhe se fajin për gjithçka u ndodh sot shqiptarëve nuk e ka as Zoti dhe as opozita, por e ka qeveria”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›