E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poli i Lirisë nis zyrtarisht luftën kundër PS dhe PD

Shehi: Do të shërbejmë si gjeneratori i kamioni të madh, që do të niset
Koalicioni më i ri i djathtë Poli i Lirisë, ku lideri i tij është ish- kryeministri Aleksandër Meksi, ka hapur zyrtarisht ditën e djeshme fushatën e tij elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Krerët e këtij koalicioni kanë dal me premtimin se në 28 qershor balanca e së djathtës nuk do të anojë më nga koalicioni i udhëhequr nga demokratët, por nga grupimi më i ri i djathtë, ku bëjnë pjesë si forca kryesore demokristianët dhe LZHK. Duke akuzuar demokratët që ka lënë në harresë shtresat e djathta, krerët e këtij poli kanë thënë se kanë një alterantivtë për këta njerëz. Gjithashtu, krerët e Polit e kanë cilësuar këtë grupim si alternativën më të mirë larg partive të vjetra politike të përfaqësuara, sipas tyre nga demokratët dhe socialistët. Kreu i Partisë Lëvizja Kombëtare për Zhvillim, Dashamir Shehi në fjalën e tij ka vënë theksin në vendimet për të ndryshuar, pasi sipas tij këto 18 vite shqiptarët kanë qëndruar në një rreth vicioz qeverisës. Ai u shpreh se Poli i Lirisë kërkon një shtet autoritar, por jo mbi lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Kemi mundësi të zgjerojmë lirinë tonë, u nisëm 18 vite më parë për të krijuar një shtet dhe demokraci që funksionon, një shet jo autoritarë, por arbitër i të drejtave tona. Një shtet arbitër i lirive dhe të drejtave tona. Ka ardhur dita të gjykojmë kush është alternativa më e mirë e jo të mbetemi pas. Jemi ne ndryshimi, jo se do të bëjmë mrekullia, por jemi këtu për të shërbyer si gjenerator i një kamioni të madh që do të niset. Të tërheqim në rrugën tonë interesat e gjithë shqitparëve, theksoi ai. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Shehi ka premtuar se ky koalicion politik do të zgjidh çështjen e pronës, duke e përmendur atë si thelbin kryesor të shtetit të së drejtës. Jemi këtu për të përcaktuar në mënyrë definitive çështjen e pronës, pasi ajo është në thelb të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut, nënvizoi Shehi. Kreu i LZHK-së, i ka kërkuar të gjithë shqiptarëve të dalin të votojnë për të sjellë demokracinë e munguar këto 18 vite sipas tij, duke veçuar faktin se në 28 qershor ose hapet një faqe e re ose mbyllet libri i demokracisë. Me 28 o hapet një faqe e re ose mbyllim fare demokracia. Unë do ju ftoja të dilni të votoni, duke i dhënë një leksion shumë të madhe këtyre që drejtojnë sot. Në zgjedhjet e qershorit ne do ti japim vetes shans për një status më të mirë, u shpreh Shehi, duke shtuar se koalicioni, në të cilin bën pjesë edhe partia e tij do të punoj për interesat e shqiptarëve, duke riformuluar sistemin arsimor, duke paguar mjekët. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka u shpreh se ky koalicion do të përcaktojë mazhorancën e ardhshme. Sipas tij Poli i Lirisë është koalicioni i atyre që i kanë sakrifikuar dhe i kanë lënë jashtë pazaret e fshehta të politikës. Ai gjithashtu shtoi se këtë koalicion e dallon nga të gjithë të tjerët sepse Poli i Lirisë beson që Shqipëria mund të bëhet jo me mitingje dhe parulla, por me njerëz idealist që punojnë për këtë vend. Në ceremoninë e hapjes së fushatës Poli i Lirisë ka prezantuar edhe kandidatët për deputet, ku në qarkun e Tiranës kryeson ish kryeministri Meksi, i cili rikthimin në jetën politike e ka bërë për një Shqipëri Europiane dhe është angazhuar se do të punojë për reforma konkrete që do të shpien vendin përpara. Kandidati i dytë për deputet në qarkun e Tiranës renditet Dashamir Shehi. Ndërsa i treti vjen përfaqësuesi i shoqatës së pronarëve, Reshit Vorpsi. Programi i Polit të Lirisë trajton problemet kryesore si atë për çështjet e pronave, zhvillimit, urbanistikës, papunësisë si dhe të taksave e biznesit. Poli i Lirisë garanton përfaqësimin e pronarëve legjitim në Kuvendin e Shqipërisë. Pretendimet e LZHK-së për këto zgjedhje janë maksimalizimi i votave që ajo mori në 2005. Kjo parti është pjesë e koalicionit Poli i Lirisë, së cilës i bashkohen dhe Partia e Bashkimit Demokratik, Partia Konservatore, Partia e Reformave Demokratike dhe Partia e Rruga e Lirisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›