Berisha, në Porto Romano: Qeveria, në krah të biznesit
“Të ndihmojmë biznesin, që ai të ndihmojë veten dhe të sigurojë suksesin”. Qeveria deklaron përmes kreut të saj se do të jetë aleate e biznesit dhe jo një pengesë në rrugën e tij. Ngritja e një fabrike riciklimi të letrës ka sjellë sërish në Durrës Kryeministrin Sali Berisha, në vazhdën e përurimeve të objekteve publike dhe private. Ai e ka zgjedhur këtë objekt për të deklaruar mbështetjen e qeverisë ndaj biznesit dhe në veçanti industrisë së riciklimit. “Ky investim është dëshmi e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi që, në bazë të vlerësimit të Komisionit Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të piramiderisë botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet, tha Berisha”. Kreu i ekzekutivit shqiptar e çmoi si të rëndësishëm këtë investim dhe në përgjigje të interesimit të tij për ndotjen e mundshme të mjedisit nga veprimtaria e fabrikës, pronari i saj, ish-deputeti dhe biznesmeni Bardhyl Balza, iu përgjigj se fabrika funksionon mbi bazën e teknologjisë bashkëkohore, duke mbrojtur mjedisin ku vepron. Duke u ndalur te kriza, Berisha vlerësoi mësimin e marrë prej saj. “Mbështetja e biznesit garanton ekonomi të suksesshme”, tha ai, duke theksuar se qeveria do të mbështesë gjerësisht bizneset në rrugën e tyre. Qeveria, me një kuadër të ri aktesh ligjore dhe nënligjore, do të krijojë një mbështetje të fuqishme për të gjithë industrinë e riciklimit në Shqipëri, e cila deri tani shënon mbi 80 milionë euro investime në letër, plastikë, qelq dhe metale, në mënyrë që të zgjerohet e të shndërrohet në “një gjenerator të rëndësishëm në industrinë e vendit”.
#