E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Kujdes me regjistrimin e popullsisë

Ambasadori i Komisionit Europian thekson se duhen statistika të sakta

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të bëjë kujdes me regjistrimin e pritshëm të popullsisë, i cili për të parën herë do të jetë në bazë etnike dhe fetare. Diplomati gjerman, i cili drejton përfaqësinë e Brukselit në Shqipëri, i përcolli dje institucioneve shqiptare këshillat sesi duhet të veprojnë për të realizuar grumbullimin e të dhënave dhe ruajtjen e privatësisë për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Bashkimi Europian, i cili i ofron Shqipërisë 11.5 milionë euro për regjistrimin e popullatës dhe banesave, i kërkon Shqipërisë të japë statistika të sakta për regjistrimin e popullsisë. Deklarata e ambasadorit Lohan vjen pas ndezjes së debatit për regjistrimin e popullsisë me bazë etnike dhe feje. Kundërshtarët e kësaj nisme të qeverisë insistojnë në argumentin se regjistrimi me bazë etnike nuk aplikohet as në shtete të zhvilluara si SHBA, Angli apo në pjesën dërmuese të Europës, ndërsa aplikimi i saj në Shqipëri ka ndezur një debat masiv, që duket se do të zgjohet sërish. Ambasadori Lohan kërkoi statistika të sakta dhe të besueshme që, sipas tij, janë mjete thelbësore për bërjen e politikave dhe që u përgjigjen nevojave të vendit. “Tani, ne shpesh dëgjojmë ankesa në lidhje me statistikat. Ne kemi dëgjuar se ato janë sipërfaqësore, të besueshme, pa kuptim, ose të prirur drejt abuzimit”, tha ai.

Sipas Lohan, “kur unë flas për nevojën për statistika të kualitetit të lartë, në fakt i referohem rëndësisë së treguesve statistikorë, me saktësinë dhe besueshmërinë e statistikave dhe për krahasueshmërinë e tyre. Dhe kush merret me statistikat, duhet në të njëjtën kohë të dijë se ata duhet të jenë të vetëdijshëm për problemet e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësinë. Meqenëse rruga e Shqipërisë drejt BE-së është gjithashtu rruga e Shqipërisë drejt instrumenteve të financimit të ofruara nga BE, është më se e arsyeshme që të ketë kujdesin më të lartë për sigurimin e statistikave me cilësi të lartë”, tha kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. BE po mbështet një sërë projektesh që në total shkojnë në vlerë 11.5 milionë euro. Ato synojnë që të përmirësojnë sistemin e statistikave të nxjerra nga Zyra Kombëtare dhe ato rajonale të statistikave, duke harmonizuar metodologjitë e përdorura nga INSTAT për të mbledhur dhe përpunuar të dhënat. “Përveçse janë thelbësore për mirëqeverisje, statistikat janë shumë të rëndësishme edhe për procesin e integrimit në BE, pasi mundësojnë monitorim dhe vlerësim të mirëfilltë të progresit të arritur”, tha Lohan. Shefi i Delegacionit të BE-së, ambasadori Helmut Lohan vuri në dukje se “rëndësia e statistikave për politika të informuara dhe zbatimin e objektivave të këtyre politikave është intuitive. Në mënyrë që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë dhe banesave, si dhe regjistrimet ekonomike dhe bujqësore të jenë vërtet të dobishme për politikat e Shqipërisë, ambasadori Lohan theksoi nevojën për saktësi dhe besueshmëri, krahasueshmëri, përgatitje në kohë dhe mbrojtje të të dhënave. Instituti i Statistikave të Shqipërisë do të zhvillojë vitin e ardhshëm regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmut Lohan, kërkoi që të bëhet shumë kujdes me ruajtjen e privatësisë. “Regjistrimi i popullsisë është një proces shumë i rëndësishëm për vendin, por duhet të bëhet kujdes në ruajtjen e privatësisë që është shumë themelore në këtë proces. është e rëndësishme ruajtja e privatësisë së personave që do të plotësojnë pyetësorin e të dhënave personale”, tha Lohan. I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo.

“Qëllimi kryesor i Regjistrimit të Popullsisë është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Buxheti total është parashikuar në vlerën prej afro 15 milionë eurosh. Ky regjistrim, nga pikëpamja teknike, sjell si risi hedhjen e të dhënave nëpërmjet sistemit të skanimit, një teknikë moderne kjo”, tha Pollo. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri u krye në vitin 2001.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›