Kryebashkiakët e majtë: Protestë ndaj bllokimit të qeverisë
Vendimi i qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha për bllokimin e pagesave për qeveritë vendore, pritet të kundërshtohet si politikisht, ashtu edhe në rrugë ligjore. Për këtë arsye, Shoqata për Autonominë Vendore ka zhvilluar dje një takim në qytetin e Vlorës, ku kanë marrë pjesë edhe drejtues të bashkive opozitare në vend si Berati, Puka, Belshi, Vlora, Fieri, Durrësi, Elbasani etj. Në një deklaratë të miratuar pas takimit, nënvizohet arbitrariteti i akteve të tilla që, sipas drejtuesve opozitarë, zbulojnë qëllime elektorale të Berishës. “Të tilla akte kanë për qëllim të shterojnë të gjitha burimet e financimit për qeveritë vendore të opozitës, të cilat ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët se sa shumë institucione qendrore të qeverisë ‘Berisha’. Të bllokosh pagesat për këto shërbime, do të thotë të penalizosh pa të drejtë dhe pa mëshirë qytetarët që përfitojnë nga puna dhe shërbimet e bashkive... Shoqata për Autonominë vendore është e vendosur ta kundërshtojë fort këtë akt arbitrar të qeverisë ‘Berisha’ në rrugë politike dhe gjyqësore”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga takimi i Shoqatës për Autonominë Vendore. Në vijim, përfaqësuesit e saj kanë rreshtuar një sërë aspektesh që preken nga vendimi i qeverisë për bllokimin e pagesave. “Ky akt është pjesë e agresionit politik të qeverisë ‘Berisha’ kundër bashkive të opozitës në këto 5 vitet e fundit, agresion që përfshin kufizimin e tarifave, uljen e grantit për qeverinë vendore, uljen e të ardhurave nga legalizimet, mohimin e së drejtës së qeverive vendore për të marrë kredi, si dhe pengesën e financimeve për qeveritë vendore të parashikuara nga donatorë strategjikë”, thuhet në deklaratë. Në kuadër të këtij angazhimi të njësive vendore të drejtuara nga opozita, është paralajmëruar edhe kundërshtimi apo rezistenca që përkon aktualisht me disponimin e përgjithshëm politik të së majtës për t’iu rikthyer lëvizjeve të rrugës apo praktikave që burojnë nga Mosbindja Civile. “I bëjmë thirrje qeverisë së ‘mbretit Berisha’ që t’i japë fund menjëherë bllokimit të qëllimshëm të pagesave për qeveritë lokale në bashkitë e drejtuara nga opozita. Në rast të kundërt, ne, si të vetmit përfaqësues të zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët në Shqipëri, do të përshkallëzojmë rezistencën tonë politike ndaj agresionit të qeverisë qendrore”, citohet në deklaratën e lëshuar dje pas takimit të drejtuesve vendorë opozitarë.
#