Topalli: PS të bëjë opozitë ndaj pushtetit, jo kundër shtetit
Kryetarja e Kuvendit takoi dje kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daçi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Biseda u përqendrua në situatën politike në Shqipëri, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi se "një opozitë e përgjegjshme, është një garanci për qeverisje të mirë, në shërbim të interesave publike". Dy kolegët ndanë mendimin se "detyra e minorancës është të bëjë opozitë ndaj pushtetit, e jo opozitë kundër shtetit".
Kryetarja e Kuvendit njohu ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës me punën e Parlamentit shqiptar. “Kuvendi ka shqyrtuar, diskutuar e miratuar mbi 170 ligje, marrëveshje, ku disa prej tyre kanë qenë të lidhura direkt me liberalizimin e vizave dhe të tjerat, në mbështetje të ekonomisë dhe zhvillimit të vendit”, tha Topalli, duke shtuar shqetësimin e saj që opozita nuk iu bashkua Kuvendit për muajt që janë miratuar projektligjet.
#