Reagim i ri nga Brukseli: Zgjidha e krizës, e domosdoshme për integrimin
Ndërkombëtarët kërkojnë që kriza politike të zgjidhet nga qeveria dhe opozita. Mesazhi për klasën politike në Tiranë është lëshuar dje nga zyra e përfaqësueses më të lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Tentativat e ndërkombëtarëve për t’i çuar dy forcat politike drejt kompromisit, duket se kanë marrë fund, duke i detyruar strukturat e BE-së të bëjnë vetëm rolin e spektatorit për të parë dy aktorët, socialistët dhe demokratët sesi do të arrijnë kompromisin për krizën. Këtë herë është zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton e cila kërkon nga qeveria dhe opozita të gjejnë zgjidhjet në mënyrë transparente dhe duke respektuar Kushtetutën e vendit. Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic, tha se mbështet iniciativën e Parlamentit Europian më 20 maj. “Në mënyrë që të gjendet zgjidhja ndaj këtij ngërçi politik dhe për të çuar përpara reformat që janë të domosdoshme për Shqipërinë që të bëjë progres drejt Bashkimit Europian, çështja është në dorën e qeverisë dhe opozitës për të gjetur zgjidhjet, në mënyrë transparente e duke respektuar Kushtetutën e vendit”, tha Kocijancic. Reagimi i zyrës së përfaqësueses më të lartë të BE-së ka ardhur pas reagimit të komisionerit për Zgjerim.
Por me gjithë shqetësimin e ndërkombëtarëve, kriza politike në Shqipëri është kthyer sërish në pikën fillestare nga edhe nisi. Duket se dy krerët e dy forcave më të mëdha politike e kanë të vështirë për t’u ulur me njëri-tjetrin dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët. Pyetjes se çfarë pasojash do të ketë në të kundërt për Shqipërinë, zëdhënësja e Ashton theksoi se Bashkimi Europian është e shqetësuar për vazhdimin e ngërçit aktual politik, pasi nuk nxit klimën e nevojshme për të çuar përpara reformat që kërkohen. “Për këtë arsye mbështetëm iniciativën lehtësuese të Parlamentit Europian, e cila na vjen keq që nuk mundi të ndihmojë për të sjellë një zgjidhje, por siç e thashë, tani varet nga qeveria dhe opozita që të gjejnë një rrugë bashkë sesi të ecin përpara”, tha zëdhënësja e Ashton. Zyra e Përfaqësueses më të lartë të Bashkimit Europian ka lëshuar mesazhin e qartë se “ne mbështesim iniciativën e Parlamentit Europian për të gjetur një zgjidhje. Tani i takon qeverisë dhe opozitës. Nevojitet që ato të punojnë bashkë për të përparuar”. Reagimet e kabineteve të komisionerit Fule dhe Përfaqësueses së Lartë Ashton erdhën menjëherë pasi Parlamenti Europian hoqi dorë nga ndërmjetësimi për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri. Ndërkohë që ndërkombëtarët janë ‘nën alarm’ për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, dy partitë më të mëdha akuzojnë njëra-tjetrën si autorë të mosarritjes së zgjidhjes së krizës politike, duke e anashkaluar atë.
#