E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ngre flamurin NATO-s në Kryeministri

09/04/2009  Ceremonia

Flamuri i NATO-s është ngritur zyrtarisht në tokën shqiptare përmes një ceremonie të veçantë në oborrin e selisë së Kryeministrisë. Pas ngritjes së simbolit të Aleacës Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se qytetarët shqiptarë, por edhe të të gjitha diktaturave të tjera ish-komuniste, i detyrojmë shembjen e sistemit Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Në dallim nga mbarë popujt e tjerë, për ne flamuri i NATO-s krahas flamurit kombëtar është flamuri i shenjtë i shqiptarëve. Ky ishte flamuri që 10 vjet më parë çliroi së bashku me flamurin kombëtar 2 milionë shqiptarët që po përjetonin barbaritë, mizoritë më të egra në Kosovë”, - ka thënë ai. Berisha nënvizoi se me çlirimin e Kosovës flamuri i NATO-s krahas flamurit kombëtar është flamuri i dinjitetit shqiptar, që u dha të drejtën, mundësinë të këndojnë këngën e lirisë, të ndërtojnë të lirë të ardhmen e tyre në trojet shekullore mijëvjeçare ku jetonin. Kreu i qeverisë ka premtuar se qeveria që drejton, institucionet, shoqëria shqiptare do të konsolidojnë vlerat e mëdha që Aleanca ka mbrojtur. “Le të zotohemi se për t’iu përgjigjur kërkesave të saj do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim, do të programojmë çdo reformë dhe ne shqiptarët gjithnjë do të ndodhemi në lartësitë e flamurit tonë kombëtar, në lartësitë e flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë”, - ka deklaruar Berisha. Ai ka shprehur mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre vendeve dhe institucioneve të cilat bënë të mundur që në Bruksel të valëvitej flamuri kombëtar i Shqipërisë, ndërsa në Tiranë të ngrihet flamuri i Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›