E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fahri Balliu: Vajza ime është tërhequr nga firma “TDC”

09/04/2009  Gati sekuestrimi

TIRANE- Fahri Balliu i ka cilësuar akuzat kundër tij si sulme politike nga ana e kreut të opozitës Edi Rama dhe Kryeprokurores Ina Rama. Pas publikimit të disa dokumenteve se vajza e Fahri Balliut, Henris Balliu është ortake në një firmë ndërtimi me të pandehurin e tragjedisë së Gërdecit Mihal Delijorgji, botuesi i gazetës “55” ka reaguar duke thënë se kontrata me Delijorgjin është bërë nga vajza e tij, e cila ka firmosur me kompaninë “TDC”. Sipas Fahri Balliut, në momentin e themelimit të kompanisë, në vitin 2006, vajza e tij rezulton të ketë qenë vetëm 20 vjeçe, çka nënkupton qartë se emri i saj është regjistruar si ortake në akt-themelimi prej të atit të saj. Megjithatë, Balliu ka shpjeguar se vajza e tij është tërhequr shumë shpejt nga kompania për shkak të mungesës së fitimeve financiare. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme pohon se ka dijeni për biznesin e botuesit të gazetës “55” me një ndër personat e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, MIhal Delijorgji. Kryeprokurorja Ina Rama është shprehur se organi që ajo drejton ka marrë të gjitha informacionet mbi këtë çështje. Numri një i akuzës thekson se po heton për çështjen dhe se po kryen të gjitha veprimet e duhura. Lidhur me padinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të depozituar në Prokurorinë e Tiranës kundrejt personit të saj, Ina Rama shprehet se kjo s’përbën ndonjë gjë të paligjshme. “E drejtë e çdo personi për të ngritur padi”, tha Ina Rama për mediat. Mediu paditi Ina Ramën për nxjerrje sekretesh në dokumentet që Prokuroria ka lëshuar për publikim në media rreth akuzave që ajo përgatiti ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Mësohet se vajza e Balliut zotëron 20 për qind të aksioneve të kompanisë “Trans Digging Construction sh.p.k”. Kompania ku Delijorgji dhe Balliu janë bashkëpronarë është ende aktive, çka do të thotë se prej më se një viti ajo i ka shpëtuar sekuestros së Prokurorisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›