E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: "Ja vërteta e bisedës me zyrtarin e SHBA për dosjet"

>Kryeministri pranon bisedën me nënsekretarin amerikan Frid. Sulm sërish prokurorisë: "Hetimi i Gërdecit nisi mbi teza politike"
Berisha sulmon sërish prokurorët e dosjes "Gërdeci" dhe mbron ligjin e dosjeve, pavarësisht rekomandimeve të SHBA dhe KE. Prokuroria ka hedhur teza politike në fillimet e hetimit për çështjen e Gërdecit të cilat nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveçse të përmbysësh hetimin- këtë deklaratë kryeministri Berisha re bëri mbrëmë në Tv Klan, kur dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës flisnin për problemet e dy vendeve. Berisha iu kthye disa herë çështjes së dosjeve dhe prokurorëve, në një mënyrë të tillë, sikur i jepte mesazh presidentit Topi që ta firmosë urgjent ligjin. Presidenti ndodhej dje në Kosovë për vizitë, ndërkohë që ka edhe shtatë ditë kohë për ta dekretuar draftin. Ai ka nisur konsultimet me juristët për bazën kushtetuese të ligjit dhe nuk është shprehur publikisht rreth draftit, por gjithësesi mendimi i tij si politikan ka qenë për hapjen e dosjeve. Sulmi i Kryeministri Sali Berisha ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, si institucion, për dosjen e Gërdecit, bëhet për herë të parë. Ngjarja e rëndë që i mori jetën 26 personave dhe plagosi rreth 300 të tjerë, ndodhi më 15 mars të vitit që kaloi, në Gërdec pranë Tiranës. Në këtë ngjarje u shkaktuan dëme materiale që kapën vlerën e 18 milionë eurove. I pyetur nga gazetarët për ftohjen e marrëdhënieve me SHBA për shkak të ligjit të dosjeve, Berisha e ka kundërshtuar këtë fakt. "Dëshmi e forcimit te marrëdhënieve me SHBA është vizita e Bush në Shqipëri, firmosja nga presidenti Bush e vendimit të Senatit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO"- tha Berisha. Duke folur për bisedën telefonike me nënsekretarin e shtetit Frid, Berisha tha se "Kam pasur një dialog të hapur dhe miqësor me qeverinë e SHBA, por në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk harrojmë përmasat e krimit 40-50 vjeçar komunist, në këtë kontekst nuk pres të lavdërohem për një ligj që bën kufizime të përkohshme. Në këtë kontekst, në bisedimet e mia kam dhënë këto garanci: së pari ligji nuk do të përdoret për qëllime politike, të cenuarit do të kenë të drejtën e procesit gjyqësor, do të respektohen standardet e Strasburgut"-tha Berisha.  Ai tha se "nuk po shkojmë në drejtësi retroaktive, por ne po bëjmë një lustracion".
Duke iu referuar Gjykatës së Strasburgut, Berisha tha se në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk ka pranuar të gjykojë në themel ligjet e lustracionit. "Kjo, tha Berisha- ka qenë biseda që kam pasur me zyrtarë të lartë të qeverisë së SHBA". Ky kapitull,-tha ai,- nuk do të ishte hapur po të mos ishte përmbysur ligji i lustracionit në vitin '97. "Nuk ka asnjë gjë që të pengojë këtë vend të ndahet nga ai krim që është më i madh se në vendet e tjera lindore. Nuk mund të flejë kombi mbi varrezatv e të gjallëve, ata që janë gjallë duhet të zbardhin të vërtetën, kanë dijeni të plotë Ramiza Alia dhe Nexhmije Hoxha"-deklaroi Berisha. "Të ndahemi nga krimet e atij sitemi është një detyrim madhor moral"-tha ai. Duke folur për prekjen nga ligji të prokurorëve të dosjes "Gërdeci", Berisha tha se "Shqipëria ka 800 gjykatës dhe prokurorë, nga të cilët janë vetëm një përqindje e vogël që kanë pasur lidhje me diktaturën, që kanë urdhëruar ekzekutime dhe vrasje në kufi"-tha Berisha. Duke sulmuar Zamir Shtyllën, drejtuesin e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit ai tha se "Nuk është vetëm ky prokuror që ka zvarritur njerëzit e lidhur në tela me gjemba, por kush ka dyshime le të sjellë ekspertë dhe të monitorojë këtë dosje".

*************************************************************
Ministrat dhe familja Berisha të përfshirë në aferën e Gërdecit

Hetimet për tragjedinë e Gërdecit janë regjistruar në datën 15 mars vetëm pak minuta pasi ndodhi shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve. Që në fillim të hetimeve organi i akuzës evidentoi personat që ishin të përfshirë në këtë tragjedi. Tre ditë më vonë u arrestuan si të akuzuar kryesorë Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli. Hetimet u zgjeruan më tej duke përfshirë në hetim edhe ish- ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Statusi i Mediut detyroi Prokurorinë e Tiranës që dosjen ta kalojë për hetim në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi qendror i akuzës i kërkojë kuvendit heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut në mënyrë që ai të vihej në dispozicion hetimeve. Hetimet u shtrinë thellë në kabinetin qeveritar pasi në planifikimin e fabrikës së demontimit ishin përfshirë edhe ministra të tjerë. Shumë ministra të kabinetit qeveritar janë lakuar për këtë tragjedi, gjithashtu të përfshirë në hetim dhe të marrë në pyetje nga grupi i hetimit, kanë qenë edhe të afërm të familjes së kryeministrit, siç është shoku i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari. Ai ishte personi i autorizuar për të lidhur kontratën me MEICO-n. Enkelejd Alibeaj, ministri aktual i drejtësisë, është personi i cili dha sugjerime për ndërtimin e bazës së çmontimit të municioneve në Gërdec. E-mailet e nisura prej tij në kohën kur ishte në postin e juristit në kabinetin qeveritar janë sekuestruar nga prokuroria në cilësinë e provës materiale. Aldo Bumçi është një tjetër ministër i cili është në listën e personave të cilët janë të implikuar në këto afera. Bumçi, që në këtë kohë mbante postin e ministrit të Drejtësisë ka firmosur një shkresë që mban datën 9 mars 2007, me numër protokolli 1594/1, ku shprehet se institucioni që ai drejton është dakord me këto procedura të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes. I vetmi në Këshillin e Ministrave që e ka kundërshtuar projektligjin për demontimin e municioneve nga subjekte private ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, duke e justifikuar kundërshtinë e tij me mungesën e bazës ligjore të këtyre procedurave, duke shprehur me shkrime dhe gojë kundërshtimet e institucionit që drejton para anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Grupi hetimor ka bërë sekuestrimin e të gjitha procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, të transkriptuara dhe audio, ku ka pasur edhe debate në lidhje me procedurat e ndjekura për miratimin e vendimit për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›