Rama: Qeveria të zgjidhë me transparencë situatën monopol në tregun e hidrokarbureve

Tiranë, 9 janar 13:51 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, kërkoi sot që qeveria të zgjidhë me maturi dhe transparencë situatën sipas tij, monopol në tregun e hidrokarbureve.
Në një dalje për mediat para pak minutash. Edi Rama tha se pati një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve për një çështje, e cila është qartësisht një çështje themelore e garancisë së konkurrencës së lirë në këtë vend. “Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës e ka trajtuar paraprakisht këtë çështje dhe ka arritur në konkluzionin se qeveria duhet të tërhiqet nga një vendim, i cili cenon konkurrencën dhe kërcënon shumë nga operatorët që janë në treg falë konkurrencës së garantuar prej shumë e shumë vitesh, edhe pse ky është një treg që ka nevojë për rregullime të ndjeshme”, - deklaroi z.Rama.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian, të cilit përfaqësuesit e qeverisë dhe vetë kryeministri, i referohen lidhur me këtë çështje, sigurisht që ka ekzigjenca të forta, që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit.
“Sigurisht, BE kërkon prej nesh angazhime konkrete për frenimin e kësaj ndotjeje dhe padyshim që mirëpret edhe masat në drejtim të njërit prej burimeve më të mëdhenj e më të rrezikshëm të ndotjes, që është pikërisht burimi i lëndëve që djegin makinat në Shqipëri. Por, BE ka mbi të gjitha një standard të standardeve. Ky është që: S'mund të ketë dy standarde. Sot, ne jemi në kushtet kur qeveria po përdor dy standarde në çështjen në fjalë dhe interesat e prodhimit vendas, kur vjen fjala për naftën që është një pasuri shumë e çmuar kombëtare e çdo vendi, janë një koncept që duhet parë dhe duhet trajtuar me shumë kujdes. Sot të gjitha vendet kur flasin për interesa kombëtare flasin për rezervim dhe jo për shfrytëzim të burimeve të naftës. Për këtë arsye të gjitha vendet synojnë një shfrytëzim sa më të kujdesshëm të tyre dhe sa më në funksion të interesit publik dhe të së ardhmes të njerëzve të vendit”, - ka vijuar kryesocialisti që drejton dhe Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, krijimi i një situate monopol, kërcënon pikërisht interesat e vendit, sepse kërcënon themelet e funksionimit të këtij sistemi dhe prek jo pak shqiptarë e shqiptare që gjenden në një grackë mbytëse, për shkak të mungesës së një konkurrence. Këtë, ne nuk mund ta pranojmë.
“Askush nuk mund ta pranojë. Dua ta theksoj, që ky nuk është rasti dhe pa dyshim unë nuk do të bëj këtu një paradë për të nxjerrë përfitime politike nga një çështje që është delikate dhe që duhet zgjidhur. Ajo që ka rëndësi themelore, është që ajo të zgjidhet, dhe jo që të përfitojë politikisht opozita”.
Këtu z.Rama tha se “kërkoj që qeveria ta shoh këtë çështje me shumë qetësi, maturi, urtësi dhe transparencë, përpara se sa kjo të kthehet në një çështje eksplozive në mjedisin shqiptar”.
Ndërsa komentoi: “Kryeministri thotë se do të mbroj mushkëritë e shqiptarëve. E përshëndes edhe unë, edhe ju dhe çdo kush tjetër është i dëshiruar që mushkëritë e shqiptarëve të mbrohen. Por, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se mushkëritë e shqiptarëve nuk mbrohen nga helmi i naftës D2 që vjen nga Evropa, duke ju futur helmin e naftës D2 që prodhohet në vend. Kështu që, në këtë pikë, Kryeministri duhet të marrë masat e menjëhershme që kjo situatë të hyjë në binarët ku e kërkon standardi i standardeve, që të mos kemi dy standarde”.
Duke e mbyllur, Rama theksoi se “nuk më duket as rasti dhe as momenti për të nxjerrë përfitime politike, përpara se sa të eksplorohet çdo mundësi, që kjo çështje të zgjidhet me qetësi dhe urtësi dhe jo në kurriz të një pale, apo aq më tepër akoma jo në funksion të një situate që krijon një monopol shumë kërcënues”.
“Pa asnjë dyshim, kjo është një zgjidhje që duhet dhënë për të mos lejuar që ky tjetër pus, i papërgjegjshmërisë dhe i paaftësisë qeverisëse, i cili ka filluar të mbajë erë jo të mirë, në ditët dhe në javët në vazhdim të qelbi gjithë Shqipërinë”, - përfundoi z.Rama.
Xh.r/NOA