E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sfidon komunitetin ndërkombëtar

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, flet për situatën politike dhe liberalizimin e vizave

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, analizon në një intervistë për “Shqip” situatën politike në Shqipëri, konfliktin mes pozitës dhe opozitës, pritshmërinë për liberalizimin e vizave, raportin e departamentit të shtetit dhe marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin.

Zoti Bushati, a ishte konsensusi i opozitës për rezolutën e liberalizimit të vizave, miratuar në Kuvend më 11 mars 2010, fundi i marrëdhënies së kushtëzuar të Partisë Socialiste me Kuvendin?

Opozita e ka bërë të qartë në mënyrë të vazhdueshme se proceset madhore të integrimit euro-atlantik me të cilat përballet Shqipëria duhet të mos bëhen pjesë e rivalitetit politik të ditës. Pjesëmarrja jonë në seancën plenare të Kuvendit vetëm për segmentin që kishte të bënte me rezolutën e liberalizimit të vizave nuk është fundi i marrëdhënies sonë të kushtëzuar me Kuvendin, e cila do të ndodhë në momentin që mazhoranca do të pranojë transparencën e plotë e të gjithanshme mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, por është një tjetër dëshmi e pakundërshtueshme e faktit që për Partinë Socialiste heqja e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë paraqet një rëndësi parësore. Si bartëse dhe promotore e vullnetit të palëkundur mbarëkombëtar për Shqipërinë në NATO e në Bashkimin Europian, Partia Socialiste dha kontributin e saj në përmirësimin e tekstit final të rezolutës të miratuar në mënyrë konsensuale, në themel të së cilës qëndron nevoja e patjetërsueshme për standarde europiane për qytetarët shqiptarë dhe jo lavdërimet ndaj qeverisë shqiptare, e cila përkundrazi është shkaktare e vonesave të pajustifikuara se përse shqiptarët vazhdojnë të jenë populli më i izoluar në rajon.

A mendoni se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda verës së këtij viti apo fundvitit? Besoni se vërshimet e azilantëve drejt BE-së nga Maqedonia e Serbia mund të kenë efekt penalizues për ne?

Nuk dëshiroj të përfshihem në lojën e afateve që qeveria bën sikur i përcakton e më pas nuk i përmbahet duke tentuar të gjejë gjithnjë “armiq” të brendshëm e të jashtëm që etiketohen të tillë në funksion të interesave politike të ditës. Por, për shkak të angazhimit serioz të Bashkimit Europian, fatmirësisht, sot nuk shtrohet më pyetja nëse do të hiqet regjimi i vizave me Shqipërinë, por kur do të hiqet ky regjim. Ky proces duhet të konsiderohet si një vullnet i qëndrueshëm i Bashkimit Europian për t’u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar të lëvizjes. Ai përbën një shembull të shkëlqyer të pushtetit të butë të BE-së, pasi të gjitha vendet vlerësohen, duke u bazuar mbi të njëjtat kritere, shoqëruar këto me një proces rigoroz me objektiva dhe afate. Kjo krijon një konkurrencë shumë të shëndetshme midis vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor. Kam pasur rastin ta them disa herë e sot është rasti ta përsëris se për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë, shqiptarët nuk arritën të përfitonin nga liberalizimi i vizave sikundër fqinjët. Megjithatë, duke qenë të fundit në rajon ne duhet të nxjerrim mësime jo vetëm nga dështimet tona, por edhe nga gabimet e fqinjëve. Nuk është koha që me verbëri t’i themi BE-së se ne jemi të imunizuar nga migrimi potencial apo kërkesat për azil kur ndër vite kemi treguar të kundërtën, por duhet të bëjmë vlerësimet paraprake në mënyrë që të kurojmë me politika efikase parandaluese të tilla fenomene. Krahas nevojës për të çrrënjosur sistemin e pandëshkueshmërisë, për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet, për të vazhduar me investimet njerëzore e financiare në menaxhimin e kufijve, qeveria shqiptare duhet të ndërtojë një strategji komunikimi të mirëpërcaktuar me njësitë e pushtetit vendor, shoqërinë civile dhe të gjitha grupet e interesit, për të shpjeguar në mënyrë të ndershme se liberalizimi i regjimit të vizave nuk krijon mundësi për punësim, shkollim, azil apo bashkim familjar në hapësirën Shengen. Në të kundërt, ai shërben si mundësi për të lëvizur e qëndruar pa pasur nevojë për vizë deri në 90 ditë.

Ju folët për çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë dhe krimin e organizuar, ndërkohë që raporti i të drejtave të njeriut i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit u referohej rasteve konkrete të zyrtarëve të lartë që nuk janë gjykuar nga drejtësia...

Kemi kohë që jetojmë në një sistem partikularizmi dhe pandëshkueshmërie, ku të mirat publike janë përqendruar në një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin e Kryeministrit. Fshehja pas imunitetit dhe zvarritja e procedurave ligjore për dy ministrat e riemëruar të kabinetit qeverisës, Basha e Mediu, është vetëm njëra prej arsyeve se përse shqiptarët nuk përfituan në kohë liberalizimin e vizave. Përkundër mundësive për të bërë diçka, Kryeministri Berisha dëshmoi se është burimi i problemit, ndërsa ministrat e tij hallkat e zinxhirit korruptiv që ushqejnë dhe mbajnë më këmbë këtë pushtet. është ky fakti rrëqethës ku kryqëzohen gjithashtu raportet e Komisionit Europian, Departamentit të Shtetit, Transparency International që e bëjnë Shqipërinë të klasifikohet si një ndër vendet më të korruptuara dhe me demokraci jofunksionale, ku vija ndarëse ndërmjet shtetit dhe pushtetit, publikes dhe privates nuk ekziston më.

Mosgjykimi i ministrave Mediu e Basha nga drejtësia dhe referimi i këtyre rasteve në raportin e Departamentit të Shtetit, përbën edhe njërën prej aspekteve më dramatike të gjendjes së demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por, arroganca dhe papërgjegjshmëria e këtij pushteti nuk mbaron këtu. Ishte e trishtueshme të dëgjoje në emër të mazhorancës në Kuvend recitimin e ministrit të Brendshëm për procesin e liberalizimit të vizave, pikërisht në ditën kur raporti i Departamentit të Shtetit përshkruante mënyrën se si ky ministër iu shmang drejtësisë për akuzat për shpërdorim detyre në lidhje me segmentin Rrëshen-Kalimash. Mesa duket, Kryeministri kishte zgjedhur instrumentin e duhur për të sfiduar komunitetin ndërkombëtar dhe ç’është më e rëndësishmja, qytetarët shqiptarë vuajnë pasojat e papërgjegjshmërisë së kësaj qeverisjeje.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asocimit, Bashkimi Europian ka bërë apel për gjetjen e një zgjidhjeje brenda datës 18 mars. Sa e mundshme është kjo sipas jush?

Ky është një apel i sinqertë, i cili i drejtohet mazhorancës pas hapit që ndërmori Partia Socialiste me depozitimin e nismave të saja ligjvënëse në Kuvend. Lejimi i hetimit parlamentar dhe transparenca mbi procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009 është hapi i parë që do të zhbllokonte krizën politike dhe do të shërbente si pikë kthese për rivendosjen e besimit të ndërsjellë mes palëve. Partia Socialiste e ka ofruar me kohë kompromisin nga ana e saj, duke njohur rezultatin e zgjedhjeve. Tani i takon mazhorancës të dëshmojë gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e saj për t’i dhënë një zgjidhje krizës në rrugë institucionale.

Kontaktet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë duket se kanë hyrë në një etapë të re me vizitën e fundit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme në Serbi. Cili është komenti juaj për këtë zhvillim?

Pavarësisht problemeve të shumta që ka Shqipëria në lidhje me stadin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, sikundër gjendjes së vështirë që po kalon ekonomia, ndryshe nga fqinjët, ajo nuk përballet me probleme ekzistenciale apo me balanca etnike vështirësish të menaxhueshme. Për shkak të kësaj veçorie, Shqipëria duhet të luajë një rol aktiv në rajon. Marrëdhëniet me Serbinë, si një vend i cili ende nuk po gjen balancën ndërmjet garantimit të burimeve energjetike dhe anëtarësimit në BE, ndërmjet problemeve të së shkuarës dhe së ardhmes europiane, duhen gjykuar me realizëm dhe në funksion të interesit reciprok. Në këtë kontekst, uroj që kjo vizitë të shoqërohet me rezultate konkrete dhe me rritje të shkëmbimit tregtar e ekonomik, për sa kohë që vendet tona mund të përfitojnë më tepër nga instrumentet e ofruar nga BE përmes bashkëpunimit dhe jo kthimit në llogoret e nacionalizmit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›