E Diel, 1 Nëntor 2026

Besim Zekthi, recitali i 50 viteve karrierë

11/05/2010 Vallet e interpretuara prej tij janë plot virtuozitet dhe mjeshtëri profesionale. Një artist që ka ardhur duke u rritur nga vallja në valle, nga premiera në premierë, padyshim është kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimikë shumë të pasur dhe ekspresive, pasi interpreton dhe kërcen me gjithë shpirt. Tek loja e tij shikohen fare qartë përsosmëritë teknike, eleganca e trupit, shkathtësia artistike, saktësia profesionale me të cilat si një të tërë ia komunikon e përçon me shumë art spektatorit. Në ekzekutimet e valleve ai dukej si shqiponjë e madhe, impozante e skalitur mes shqiponjave të tjera përreth. Në këtë krahasim me shqiponjën shumëkush mund ta kuptojë pa mëdyshjen më të vogël se bëhet fjalë për valltarin Besim Zekthi, shkathtësia, mprehtësia, impulsi dhe dinamika e të cilit kanë mahnitur mijëra spektatorë. Tani, spektatori do të ketë mundësinë të shohë krijimtarinë e tij të 50 viteve në një recital koreografik të mjeshtrit organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. “Shqipja më dha krahë”, recitali i Besim Zekthit do të vijë nën interpretimin e solistëve dhe grupit të valleve drejtuar nga Rexhep Çeliku, orkestrina e drejtuar nga Vladimir Hasimi, grupi vokal i drejtuar nga Gramoz Burba, solistet Sabahet Vishnja dhe Irini Qirjako, si dhe artistët e ftuar Myfarete Laze, Arif Vladi, Fatmira Breçani mbrëmjen e së mërkurës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Një prej artistëve që nuk ka lënë skenë të Shqipërisë pa prekur me këmbët e zhdërvjellëta të tij, Zekthi i ka pasuruar përherë vallet me lëvizje, nuance dhe figura të reja, “zbuluar” në folklorin e pafund të territorit shqiptar, që i ka mësuar, i ka përpunuar, pasuruar dhe shumë të freskëta i ka debutuar. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të trupës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vëna nga ai me sukses. Edhe jashtë kufijve të atdheut ky artist ka debutuar disa herë me shumë sukses. Ka shkëlqyer në mjaft shtete të Ballkanit, Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke e cilësuar si një shqipe me kthetra, shqipe me flatra të arta. Repertori i tij në Ansambël (1957-1990) përfshin 200 valle të interpretuara, ku ka qenë si solist kryesor, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Për talentin, punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe të ndryshme, deri tek ai i fundit që mban sot “Mjeshtër i Madh”. Ndër vallet më të spikatura të tij rendisim: “Vallja e Shqipeve”; “Festë të Madhe ka sot Shqipëria”, e cila i dha “Gjerdanin e Artë” vendit tonë në Festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970 e plot të tjera me motive çame, mirditore, tiranase, dibrane, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›