Besimtaret festojne ringjalljen e Krishtit
Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin kanë kremtuar mbrëmë në mesnatë Ringjalljen e Krishtit. Festa e Pashkëve është festa më e shenjtë për besimtarët e krishterë dhe ndër më të rëndësishmet e kalendarit fetar të krishterëve dhe kremtohet në të gjitha vendet, ku ka besimtarë katolikë. Besimtarë të kryeqytetit kanë marrë pjesë në ceremoninë e shenjtë të zhvilluar në në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë. Liturgjia e pashkëve është drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Gjatë ceremonisë përveç leximeve dhe kendimeve të psalmeve nga Bibla janë pagëzuar edhe shumë të rinj. Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë kanë qenë personalitete jetës publike në Shqipëri.
Pashka, ose Ringjallja e Krishtit vjen pas një jave të shenjtë që kulmon me kryqëzimin e Jezu Krishtit të Premten e Zezë dhe ringjalljen e tij në mesnatën e së shtunës. Sipas Biblës me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet.
Të gjithë besimtarët e krishterë kanë marrë mbrëmë në Kishën Katedrale, zjarr nga zjarri i ndezur pas ringjalljes së Shpëtimtarit që i tregoi botës se mund të triumfojë mbi të keqen për të ndihmuar njerëzimin.
Festa vazhdon edhe ditën e dielë kur besimtarët kryejnë vizita për të uruar njëri- tjetrin si dhe për të këmbyer vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë.