Prokuroria zbardh krimet e Romeo Lekes personi qe terrorizoi Tiranen
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Romeo Lekën, personin që terrorizoi për disa orë Tiranën më 19 mars të këtij viti, duke grabitur hotele e banka dhe së fundi mori peng një studente pranë Librit Universitar. Nga hetimet e kryera prej prokurorit Adnan Xholi ka rezultuar se Leka është me origjinë nga rrethi i Lezhës dhe në vitin 1998 është larguar familjarisht për në Amerikë. Atje ka qëndruar deri më datë 17 gusht 2007. Pas kthimit nga Amerika ka banuar në qytetin e Tiranës në një banesë me qira dhe në hotele të ndryshme. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Leka, në datat 18 mars 2010 dhe 19 mars 2010, ka marrë pjesë në kryerjen e disa vepra penale të ndodhura në qytetin e Tiranës”, thuhet në dosjen e akuzës.
EPISODI I PARËNë mëngjesin e datës 18 mars 2010, Leka është afruar pranë një filiali të një banke, me qëllim për të marrë lekët që ndodheshin brenda saj. Është futur në ambientet e bankës, ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ia ka vendosur në trup punonjëses së bankës, dëshmitares E. T. Nën kërcënimin e armës ka hedhur një qese plastmasi në dysheme dhe i ka kërkuar punonjëses së bankës që ta mbushte me para. Arkëtarja e bankës M.Sh., ka shtypur butonin e alarmit të bankës. Leka është larguar prej saj, pa arritur që të marrë ndonjë sasi lekësh.
EPISODI I DYTËPo në këtë datë, rreth orës 19.00, Leka ka marrë një taksi të drejtuar nga i dëmtuari P.Elezi, të cilit i ka kërkuar që ta dërgonte deri në Kamzë. Në afërsi të rrethrrotullimit të doganës Leka ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë, të cilën ia ka drejtuar taksistit. Në momentin kur taksia është afruar pranë shinave të trenit, ka vënë re se në krahun tjetër të rrugës kanë qenë dy punonjës policie. Leka është trembur dhe ka urdhëruar taksistin që të ndalojë makinën. Më pas është larguar me vrap.
EPISODI I TRETËNë datë 19 mars 2010, Leka ka shkuar në këmbë pranë një hoteli privat, brenda të cilit ishte filiali i një banke. Ka nxjerrë nga trupi një armë zjarri tip pistoletë dhe ia ka drejtuar rojës së sigurimit, dëshmitarit A.T. Ka urdhëruar personat që ndodheshin në bankë të mos lëviznin. Leka i ka kërkuar punonjëses së arkës që t’i jepte lekët. Ka nxjerrë një thes dhe ka urdhëruar dëshmitarin A.T. që ta mbushte me lekë nga arka e bankës. Më pas ka detyruar punonjësit dhe klientët që kanë qenë të pranishëm në filialin e bankës, të futen në ambientet e arkës dhe i ka mbyllur me çelës. Ai është larguar për në drejtim të Librit Universitar dhe më pas është ndjekur nga një patrullë policie, e cila i kërkuar të dorëzohej. Ai nuk u është bindur dhe u ka drejtuar armën e zjarrit, duke u thënë se nëse do afroheshin do t’i vriste.
EPISODI I KATËRTMë pas ka marrë peng një kalimtare të rastit L.K. E ka kapur prej krahu dhe e ka urdhëruar që të mos e kundërshtonte, pasi në të kundërt do ta vriste. Veprimet janë ndjekur nga policia, të cilëve u ka kërkuar që të mos afroheshin, pasi do të qëllonte vajzën e marrë peng. Policia ka bërë disa herë thirrje për t’u dorëzuar, por ka hasur kundërshtimin e Lekës. Kjo periudhë ka vazhduar për rreth 45 minuta, ku në një moment neglizhence është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i të pandehurit Romeo Leka, kohë gjatë së cilës ka mbajtur peng shtetasen L.K., me qëllim për t’u larguar dhe për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.