Fushata per levizjen e lire 1.1 milione USD
Frika e shkeljes së rregullores pas liberalizimit të vizave, sikurse kishte ndodhur me fqinjët tanë maqedonas dhe serbë, detyroi qeverinë shqiptare t’u kushtonte rëndësi njoftimeve të ndryshme në media. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme u autorizua nga Kryeministri Sali Berisha dhe më pas nga Ministria e Financave të përdorte një fond të veçantë prej 120 milionë lekësh të nevojshëm për realizimin dhe shfaqjen e spotit publicitar në mediat kryesore. Vlera e përafërt me rreth 1.1 milionë dollarë shërbeu si reklamë për qeverinë edhe punën e bërë ndaj procesit të liberalizimit të vizave. Shfaqja e publicitetit pati një periudhë kohore për të paktën tre muaj, ku përmes tij, u bëheshin të ditur shqiptarëve rregullat që duhet të ndiqnin dhe kriteret që duheshin plotësuar për të udhëtuar pa viza.
Vendimi i qeverisë për të shpenzuar 120 milionë lekë për reklamën “Shqipëria në Europë pa viza”, u mor më 15 nëntor, fiks një muaj para se të hynte në fuqi vendimi i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, ndërsa botimi i tij në Fletoren Zyrtare u bë më 15 dhjetor.
Për këtë vendim, pra për të siguruar këtë fond të paparashikueshëm në buxhet, Ministria e Financave ndoqi rrugën e rialokimit, pra ia mori një institucioni për t’ia dhënë një tjetri. Kështu, fondi për reklamat u krijua nga pakësimi i buxhetit të Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe Policisë së Shtetit, respektivisht 110 milionë lekë dhe 17 milionë lekë. Këto para do të përdoreshin nga këto dy institucione për pagat dhe sigurimet e punonjësve të tyre. Qeveria ka kryer edhe të tjera shpenzime në kuadër të liberalizimit të vizave, siç ishin vendosja e tabelave me emrat e kryeqyteteve të BE-së apo koncertet e shumta në qendër të Tiranës, por asnjëherë nuk janë bërë të ditura faturat financiare të tyre.