E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie indeksi i shitjeve me pakicë

Indeksi i shitjeve me pakicë shënoi vlerën 169.4 % përkundrejt periudhës bazë, viti 2005, ndërsa në qershor 2010, ishte 181%.

Në krahasim me vitin 2005, shitjet me pakicë shënuan rritje graduale deri në gusht 2010, kur indeksi shënoi vlerën 195%, me një rritje 95% kundrejt vitit bazë. Sipas treguesve të INSTAT, rënia e konsumit filloi në muajin shkurt 2011.

"Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 6.9% dhe krahasuar me tremujorin e parë u rritën 1.9%", njofton INSTAT. Rënien më të madhe në 3-mujorin e parë e pësoi sektori i pajisjeve shtëpiake me 21% më pak i shoqëruar nga aktivitetet tregtare që vuajtën rënien e konsumit në sektorët si ushqimet, dyqanet e specializuara, produktet farmaceutike, shitja dhe mirëmbajtja e makinave, etj.

Treguesit pësuan përmirësim në 3-mujorin e dytë ku vërehet se konsumatorët i janë rikthyer disi normalitetit, me përjashtim të mallrave që konsiderohen të luksit, të cilat vijuan të shiten më pak. Shitjet në dyqanet ushqimore të specializuara u rritën 7.2% në terma vjetorë, produktet farmaceutike e mjekësore u rritën 13%, mirëmbajtja e makinave 16%.

Shitjet e elektroshtëpiakeve kanë rënë me 21% në terma vjetorë, shitja e librave e gazetave me 17%. Përkundrejt tyre, u rritën shpenzimet për mirëmbajtjen e makinave, shitja me shumicë e karburantit, etj. Rënia e shitjeve këtë 6-mujor preku punësimin në sektorin e tregtisë me pakicë.

"Indeksi i punësimit në ‘Tregtinë me pakicë’, në tremujorin e dytë të këtij viti, arriti 170.1 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, u ul 1.1%", vëren INSTAT. Sipas tij, punësimi u rrit me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010 në grupin "Tregtia dhe riparimi i automjeteve". /Start/

                                                                                             2011-12-04 13:47
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›