E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie nga lartësia, plagoset punëtori i demontimit

Poliçan

Rikonstruksioni i godinës së repartit të ri të demontimit në Poliçan ka shkaktuar dje plagosjen e një punëtori. Agron Periku, 43 vjeç, punëtor në repartin e demontimit të municioneve, ka thyer këmbën pasi ka rënë nga skela ku punonte për suvatimin e repartit. Burime nga Kombinati Mekanik në qytetin e Poliçanit bëjnë me dije se prej disa ditësh në zonën C të repartit të ri të demontimit po punohet për rikonstruksionin e godinës. Për të ecur sa më shpejt me punimet, paraditen e djeshme është vënë në punë dhe një punonjës demontimi. Ka qenë 43-vjeçari Periku, i cili u ka shkuar në ndihmë punonjësve ndërtues, duke hipur në një skelë për të ndihmuar me suvatimet. Por rreth orës 12:00 të së mërkurës, 43-vjeçari ka rënë nga skela e punës. Punëtorët e tjerë i kanë ardhur në ndihmë të plagosurit dhe me një mjet të kombinatit e kanë dërguar drejt spitalit të Beratit. Burime nga reparti i urgjencës pranë këtij spitali bëjnë me dije se i plagosuri ka mbërritur me një frakturë në këmbë dhe goditje të tjera në trup. Ai mori ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ende nën trajtim mjekësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›