E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kërkon suprimimin e Rezolutës 1244

Kosova

Uashingtoni dhe Brukseli po përgatisin skenarë të ndryshëm të zgjidhjes së marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të shprehë mendimin për pavarësinë e Kosovës. Dhe ndërsa plani i Bashkimit Europian është i padefinuar, i drejtuar para së gjithash mbi presionin ndaj Serbisë që të fillojë bashkëpunimin praktik me autoritetet e Kosovës dhe për të do të diskutohet në takimin ministerial më 10 maj, Uashingtoni tashmë dy muaj po përgatit planin që nga Beogradi, si zëvendësim për qasje më të shpejtë në BE dhe fondet e tij, të kërkojë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 dhe për forcimin e pavarësisë së Kosovës.
Politikën e re të Departamentit Amerikan të Shtetit, siç pohon e përditshmja e Beogradit "Blic", të cilës i referohet Qendra për Informim e Kosovës (QIK), e ka "zbuluar" Obrad Kesiç, një analist i informuar mirë serbo-amerikan nga agjencia amerikane "TSM Global" nga Uashingtoni. Kesiç pohon se plani ka dritën e gjelbër të Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk merret direkt me Ballkanin, si dhe që administrata e Uashingtonit pret që Beogradi të japë pëlqimin për suprimimin e Rezolutës 1244 menjëherë pas paraqitjes së mendimit të gjykatës. "Në rezolutën e re të OKB, për të cilën angazhohet Uashingtoni, do të futej një pjesë e mendimit të GJND në të cilin rezoluta do të mbështetej dhe ajo do të ishte çelës për forcimin e pavarësisë së Kosovës. Dallimi i madh do të ishte kufizimi i mandatit të saj, sepse ndryshe nga Rezoluta 1244 e cila automatikisht vazhdohet dhe mund të suprimohet vetëm me vota në KB, rezoluta e re do të vazhdohej vetëm nëse për të votohet, pra, pikërisht e kundërta", ka sqaruar Kesiç planin të cilin në Uashington po e hartojnë tashmë pothuajse dy muaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›