Withers: Partitë, luftë për pushtet
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, nuk ka dhënë një qëndrim të drejtpërdrejtë për grevën e urisë së opozitës. Ai ka sulmuar politikën shqiptare, se po luftojnë me njëri-tjetrin, duke mos u marrë me interesat e qytetarëve. Deklarata e diplomatit të Washington-it është bërë gjatë një aktiviteti ku është publikuar një studim mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri. Ambasadori Withers u bëri apel drejtuesve të partive të lenë mënjanë konfliktet mes tyre dhe të kthejnë sytë nga populli. “Sot në Shqipëri partitë politike janë përfshirë në një luftë të madhe për pushtet, njëra parti kundër tjetrës. E ndërsa ju thoni se ato janë më pak të besueshmet nga çdo institucion shqiptar, unë ndjehem i shqetësuar sidomos nga rezultatet e raportit për korrupsionin. A nuk ka ardhur koha që drejtuesit politikë t’u dëgjojnë? A nuk ka ardhur koha që ata të rreshtin së luftuari ndaj njëri-tjetrit dhe të kujdesen për ju?”, shtroi shqetësimin Withers. Kam respekt, tha ai, për urtësinë e popullit shqiptar, që i paraprin urtësisë së lidershipit. “Ky raport po u jep një mesazh. Ka ardhur koha që liderët politikë t’i besojnë dhe ta dëgjojnë popullin”, theksoi Withers. Gjatë prezantimit të një raporti për korrupsionin, ambasadori Withers me keqardhje deklaroi se situata në Shqipëri është përkeqësuar. Rreth 92% e të intervistuarve pohojnë se korrupsioni është i përhapur në çdo institucion. Ndërsa partitë politike dhe sindikatat kanë rezultuar më pak të besueshmet. “Kam jetuar në vende të ndryshme të botës dhe në shumë prej tyre jam përballur me korrupsionin. Por nuk kam parë asnjëherë rezultate të tilla, ku 92% e të pyeturve të thonë se korrupsioni është i përhapur ose shumë i përhapur. Ky raport duhet të jetë një alarm për t’u zgjuar. Nuk po bëhet mjaftueshëm, shumë më shumë duhet bërë. Mendoj se duhet të nisë me forcimin e institucioneve dhe jo dobësimin e tyre. Duhen lejuar që të punojnë në autonomi të plotë dhe larg çdo presioni politik”, nënvizoi Withers.
SondazhiNë studimin e mbështetur nga USAID dhe realizuar nga IDRA, theksohet se perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Vlerësimi mesatar i publikut të gjerë mbi korrupsionin e perceptuar të institucioneve në sondazhin e vitit 2010 është 62.4 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “Shumë i korruptuar”. Drejtuesit fetarë, Presidenti, ushtarakët, media, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve vazhdojnë të konsiderohen si më pak të korruptuar ndër 20 grupet dhe institucionet e vlerësuara. Nga ana tjetër, doganierët, tatimorët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit. 91.8% e të intervistuarve në kampionin e publikut të gjerë mendojnë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “shumë i përhapur” ose “disi i përhapur”. Në vitin 2010, 33.5% e të intervistuarve deklarojnë që t’i kenë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar. Si publiku i gjerë, ashtu edhe punonjësit e sektorit publik, mendojnë se në përgjithësi, transparenca e institucioneve shqiptare është e ulët. Vlerësimi mesatar i nëntë institucioneve është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100, ku 0 do të thotë “aspak transparent” dhe 100 do të thotë “shumë transparent”. Publiku i gjerë i ka vlerësuar institucionet me 38.7 pikë, ndërsa punonjësit e sektorit publik me 48.9 pikë.
#