E Diel, 1 Nëntor 2026

Bildt: Fajin për situatën në veri e ka Prishtina

Dy ditë para vendimit të Komisionit Evropian për të rekomanduar dhënien e statusit të kandidatit Serbisë edhe vetë brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë dallimet rreth asaj se sa ka faj Serbia për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Në institucionet e BE-së, në Komision dhe në Këshill, dominon qëndrimi se për zhvillimet e dhunshme në këtë pjesë të Kosovës fajin e kanë autoritetet e Prishtinës dhe “veprimet e njëanshme të Prishtinës gjatë verës”, raporton Koha Ditore.

Për këtë shkak Komisioni Evropian edhe në Raportin e progresit për Kosovën dhe në Pakon e zgjerimit që do të miratohet të martën, do të shprehë keqardhje për zhvillimet në veri të Kosovës me fjalët “zhvillimet e korrikut në Kosovën veriore janë çështje për shqetësim të madh”.

Privatisht shumë diplomatë të vendeve anëtare për situatën fajtor kryesor e konsiderojnë Qeverinë e Kosovës dhe ato i quajnë “veprime të pamatura unilaterale”.

Por, Gjermania dhe disa shtete tjera duan që Beogradi, nëse vërtet thotë se “nuk ka gisht në dhunën në veri”, të heqë dorë publikisht nga strukturat paralele atje dhe të mundësojë shpërbërjen e tyre.

Ndryshe, nga Gjermania mendojnë disa shtete. Më i zëshmi në mbrojtjen e Beogradit dhe në kritikat ndaj Prishtinës ka qenë ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Bildt. Ai duke ardhur në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg, i pyetur se “a do të jetë Kosova pengesë e Serbisë që t’i jepet statusi i kandidatit” është përgjigjur me një “Jo” të prerë.

Në insistimin e gazetarit gjerman se “si mund t’i jepet statusi i kandidatit një Serbie e cila është përgjegjëse për dhunën në veri të Kosovës”, ministri suedez është përgjigjur se “Beogradi nuk ka lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës, sepse ndikimi i Beogradit atje është shumë i vogël. Përgjegjësinë e ka Qeveria në Prishtinë, e cila nuk ka bërë sa duhet për t’i afruar qytetarët në veri të Kosovës”. (telegrafi)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›