Kosova pa perspektivë për anëtarësim në BE

Sa u përket aspirantëve tjerë të Ballkanit për të hyrë në BE, raporti konfirmon se Kroacia “do të jetë” në gjendje të anëtarësohet në BE më 1 korrik 2013, meqë Zagrebi cilësohet “si një nxitës dhe katalizator (për reformat pro-BE) për pjesën tjetër të rajonit”.
Mali i Zi dhe Maqedonia dolën të parat sa i përket progresit në reforma. Por, komisioni nuk thotë se kur ato dy shtete kandidate mund t’i nisin bisedimet për anëtarësim. Shqipëria thuhet se ka bërë “progres të limituar”, si pasojë e një bllokade politike pas zgjedhjeve të janarit. Ndërsa, Bosnja përshkruhet si një shtet “i paralizuar dhe i konfrontimeve” në mes të serbëve dhe myslimanëve, me “mungesë të kuptueshmërisë së përbashkët në drejtimin dhe të ardhmen e përgjithshme të vendit”.
Kosova, sipas raportit që e ka parë “EUobserver” dhe e transmeton “Zëri”, nuk ka asnjë perspektivë për anëtarësim në BE, derisa të gjitha 27 vendet e bllokut ta njohin atë si shtet. Raporti thekson se papunësia në Kosovë është më e larta në Evropë dhe se “duhet bërë shumë më shumë për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
Në raport shkruan gjithashtu se Brukseli “i merr shumë seriozisht” pretendimet se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka drejtuar një grup të krimit të organizuar 10 vjet më parë dhe se ka shitur organet e brendshme të të burgosurve serbë dhe që vazhdon t’i kërcënojë jetët e dëshmitarëve potencialë në përpjekjet e BE-së për ta hetuar rastin sot.