E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet nisin në mars?

Nga Express më 05 shkurt 2011 në ora 18:00

Bashkimi Evropian pret që Qeveria e re e Kosovës të formohet deri në 17 shkurt, datë që përkon me tre vjetorin e pavarësisë, derisa bisedimet me Serbinë pritet të fillojnë menjëherë pas krijimit të institucioneve të reja. Deklarata është bërë për mediat serbe nga diplomati britanik Robert Cooper. Beogradi pret që bisedimet të fillojnë në muajin mars.

Sipas të njëjtave burime po përmbyllen përgatitjet e fundit për mënyrën se si do të zhvillohet dialogu. Është përcaktuar metoda e negociatave dhe çdo zgjidhje e arritur do të zbatohet menjëherë në terren.

Sipas ekspertëve kjo mënyrë negocimi do të pengojë planet e Beogradit që të arrijë zgjidhje të favorshme që lidhen me statusin në zonat me shumicë serbe.

Mediat serbe i referohen burimeve diplomatike në Prishtinë, sipas të cilave Cooper është takuar me përfaqësuesit dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it, ku ka diskutuar nevojën e një dialogu të shpejtë.

Mësohet se në takime nuk ka qenë i ftuar Piter Feith, përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë. Cooper pritet të jetë ndërmjetësi kryesor në bisedime dhe do të përfaqësojë shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Oliver Ivanoviq, i ashtuquajturi sekretar shteti për Kosovën në Qeverinë serbe, pret që dialogu të nisë në mars.

“Takimi i parë mund të pritet në muajin mars. Do të jetë një takim i panagarkuar me çështjet e vështira”, theksoi Ivanoviq. (rel)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›