MPJ: Vazhdon evakuimi i kosovarëve nga Egjipti
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njofton se sot ka mbërritur arritur grupi i radhës i personave të evakuuar nga Egjipti, në të cilin, konform rregullave ndërkombëtare, përveç shtetasve të Kosovës të evakuar kanë qenë dhe familjarët e ngushtë, bashkëshortë dhe fëmijë, të shtetasve kosovarë por me shtetësi egjiptiane.
MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi, tha se është duke ndjekur me përkushtim rrjedhën e zhvillimeve të fundit në Egjipt, duke vënë theks të veçantë në evakuimin e shtetasve të Kosovës nga Egjipti për në Kosovë apo shtete të tjera jashtë zonës së rrezikut.
Koordinimi për evakuimin e shtetasve të Kosovës po bëhet përmes Ambasadës së Kosovës në Ankara, e cila në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, përkatësisht Ambasadën e Turqisë në Kairo, në bashkëpunim me Ambasadën e Egjiptit në Ankara dhe përmes Turkish Airlines kanë mundësuar evakuimin e shtetasve të Kosovës.
Sot më 05 Shkurt 2011, ka arritur grupi i rradhës i personave të evakuar nga Egjipti, në të cilin, konform rregullave ndërkombëtare, përveç shtetasve të Kosovës të evakuar kanë qenë dhe familjarët e ngushtë, bashkëshortë dhe fëmijë, të shtetasve kosovarë por me shtetësi egjiptiane.
Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara vazhdon të jetë e angazhuar maksimalisht për evakuimin e shtetasve të Kosovës nga zona e rrezikshme.
Gjatë ditës së nesërme pritet të evakuohen nga zona e rrezikshme grupi i rradhës, të cilët janë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për kthim në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme njofton dhe një herë personat e pajisur me fletëudhëtim nga Ambasada e Kosovës në Ankara lidhur me kërkesën e autoriteteve egjiptiane për t’u lajmëruar pranë Ambasadës së Kosovës në Ankara tri orë para nisjes për në Aeroportin e Kairos.
Kjo kërkesë vjen si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën aktualisht gjendet Republika Arabe e Egjiptit.
Ministria e Punëve të Jashtme, përveç koordinimit për evakuimin e shtetasve nga Egjipti në Kosovë mbulon të gjitha shpenzimet për realizimin e këtij evakuimi.