Biznesi: Të ndryshojë data e deklarimit të faturave
Të gjitha bizneseve që janë subjekt i TVSH-së do t’u duhet të dorëzojnë brenda datës 5 të çdo muaji librat e shitjeve dhe të blerjeve pranë degës së tatimeve. Vendimi i qeverisë ka shkaktuar konfuzion te bizneset e mëdha, të cilat kanë vlera të mëdha kontabilizimesh dhe u duhet të mbledhin një sasi të madhe faturash apo të kërkojnë informacion nga degët e tyre nëpër rrethe. Problemi bëhet akoma më i mprehtë, kur pas eksperiencës së parë një pjesë e mirë e tyre u është dashur të qëndrojnë gjatë gjithë natës pranë kompjuterit me shpresën se sistemi do t’i pranonte deklarimet dhe trafiku i përdoruesve do të minimizohej. Sipas informacionit të publikuar në buletinin e Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), shqetësimin e tyre, bizneset e kanë prezantuar në takimin e Komitetit të Taksave dhe të Ligjeve pranë Dhomës. Gjatë takimit të kryesuar nga Genc Boga, është folur gjatë mbi atë çfarë duhet të bëjë Dhoma për të dhënë një ndihmë konstruktive në këtë drejtim. Anëtarët kanë folur për eksperiencat e tyre dhe për mënyrën se si ndryshimet në procedurat tatimore që vijnë nëpërmjet udhëzimeve po ndikojnë në biznesin e tyre.
“Na janë shtuar mjaft kostot suplementare, sepse për të mbyllur brenda 5 ditësh të gjitha kontabilizimet ka nevojë për punonjës shtesë”, u tha nga anëtarët në mbledhjen e Komitetit të Taksave. Duke folur për problemet që kanë hasur në eksperiencën e parë të tyre për deklarimin e TVSH-së online, anëtarët kanë përmendur dhe faktin se sistemi online ka shfaqur dukshëm probleme që nga formati deri te hedhja e dokumenteve, duke e bërë akoma më të vështirë deklarimin në datën 5. Dhoma Amerikane do t’i kërkojë Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve si zgjidhje të mundshme ndryshimin e kësaj date nga 5 në datën 10, në mënyrë që t’i jepet kohë biznesit të përgatitet.
#