E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, partitë shqiptare fshihen pas dështimeve

Partitë maqedonase thuajse çdo ditë kanë çfarë t’i ofrojnë votuesve të tyre. Sa për ilustrim, VMRO-DPMNE në dy muajt e fundit ka mbajtur 43 konferenca për shtyp dhe ka lëshuar rreth 42 njoftime për media. Partia tjetër opozitare, LSDM ka qenë edhe më aktive duke pasur 50 konferenca për shtyp dhe po aq njoftime të cilat janë lëshuar nëpër media me qëllim të informimit të opinionit. Nga ana tjetër, partitë shqiptare brenda dy muajve nuk kanë mbajtur as 10 konferenca, që është pesëfish më pak se sa pala maqedonase. Kjo dukuri absurde vlerësohet ndryshe nga specialistët e komunikimit. Imer Ismaili çështjen e analizon në thelb duke e konsideruar si fajtor shtetin. “Po të dalësh publikisht dhe të thuash një koncept të çfarëdo natyre dhe po mos të kesh mekanizëm për realizimin e këtij mesazhi që jep, atëherë llogaria është më mirë mos të dalësh fare e të thuash ndonjë gjë. Përderisa ne në aspektin formalë-juridik nuk krijojmë mekanizma të barazisë mes veti dhe pastaj të reflektohet ajo te maqedonasit, ne nuk kemi çfarë mesazhe t’i lëshojmë njëri-tjetrit. Të gjitha këto porosi për t’u realizuar në fund do të varen prej maqedonasve”, deklaron Ismaili. Sipas tij, politikanët shqiptarë nuk mund të premtojnë shumë gjëra dhe për këtë arsye ata tek e fundit s’kanë se për çfarë të zihen. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, nuk ka debat politik brenda shqiptarëve, sepse ata janë jashtë sistemit të shtetit. “Te maqedonasit gjërat janë të hapura. Atje ka luftë mes dy koncepteve. I djathtë me elemente të të majtës që buron nga VMRO dhe i koncepti i së majtës që buron nga LSDM. E para promovon konceptin antik të maqedonasve, kurse e dyta për maqedonasit sllavë. Kjo luftë ka për çfarë të bëhet. Te shqiptarët për çfarë do të bëhet ajo luftë? Për pushtet? Kjo bëhet atëherë kur ke shtet. Ne nuk kemi shtet dhe ne nuk jemi pjesë e shtetit”, tha Ismaili. Partitë politike shqiptare nuk kanë as kulturë të komunikimit me mediat dhe janë të prapambetura në funksionimin e tyre. Sefer Tahiri, profesor universitar i komunikimit pohon se partitë shqiptare historikisht kanë marrëdhënie shumë të dobëta me publikun. “Kjo ndodh sepse ekipet që punojnë në marrëdhëniet publike te partitë shqiptare, janë ekipe joprofesionale, jo të arsimuara dhe në fund të fundit prodhon një cilësi të dobët sa i përket komunikimit politik”, tha Tahiri. Nga ana tjetër, partitë maqedonase kanë marrëdhënie tejet të mira me opinionin, pasi ata kanë ekipe profesionale, që i përdorin më së miri në të gjitha format. “Partitë politike shqiptare edhe kur kanë ndonjë rezultat, të arritur, nuk e plasojnë atë në formën e duhur dhe shpesh janë vet gazetarët që i shtyjnë ato të bëhen publike. Përgjithësisht është një apati e partive shqiptare, edhe në këtë segment sikur në shumë segmente tjera”, tha Tahiri. Ai ka akuzuar edhe zëdhënësit e partive, të cilët me mospunën e tyre efikase i japin një imazh të keq partisë. “Duhet të ndryshohet kjo praktikë e partive shqiptare, sidomos e zëdhënësve të cilët shpesh edhe nuk përgjigjen thirrjeve të gazetarëve. Kjo për një parti politike moderne është një absurd i vërtetë”, tha profesori i komunikimit, Sefer Tahiri. /lajm/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›