Biznesi, nën peshën e korrupsionit të Berishës
Partia Socialiste shton konstatimet dramatike për sa i përket situatës ekonomike në Shqipëri. Deputeti i saj, Ilir Beqja, i është shtuar dje listës së kolegëve të tij që kanë artikuluar akuza ndaj qeverisë nisur nga vlerësimet e fundit të Bankës Botërore. Formalizimi praktik i taksës së ryshfetit, ndryshimi i paarsyetuar i legjislacionit, si dhe klientelizmi në prokurime janë, sipas Beqes, probleme madhore që ndikojnë në klimën e biznesit në Shqipëri. Për më shumë që vendi ynë, për shkak të këtyre veprimeve të qeverisë, po e vendos biznesin para një fature të re që lidhet me taksën e kohës. “Së fundmi, edhe Banka Botërore deklaron se “taksa e kohës” është në Shqipëri më e lartë se kudo tjetër në rajon e në Evropë. Menaxherët e firmave shqiptare harxhojnë më shumë se kudo tjetër kohë për t’u marrë me njohjen e rregullave që ndryshojnë kohë pas kohe dhe me marrëdhënie personale me organet ligjzbatuese”, citoi Beqja ndër të tjera. Sipas tij, rrjeti korruptiv i ndërtuar nga njerëz besnikë të Kryeministrit e ka bërë klimën e biznesit të papërballueshme.
#