E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS sulmojnë Topin për faljet

Kuvendi

Opozita akuzoi Presidentin e Republikës, Bamir Topi, se ka keqpërdorur ligjin gjatë dekretimit të faljes së mbi 360 të dënuarve në muajin prill. Sipas deputetëve të opozitës, në Komisionin e Ligjeve procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës për faljen e të dënuarve ishin jo transparente. Për këtë arsye ajo votoi parimisht pro projektligjit që kufizon këtë të drejtë ekskluzive të kreut të shtetit që u miratua dje.

“Nga një ligj që duhet të jetë falja si përjashtim ne e kemi bërë si diçka që mund të keqpërdoret, ashtu sikurse është përdorur në prill të 2010-s, ku janë falur 367 persona, nga të cilët 48 persona janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Njëri prej tyre është dënuar në dhjetor të 2007-s dhe Presidenti i ka falur 10 vjet burgim”, tha deputetja socialiste Vasilika Hysi. “Faljet e derimësotshme realisht kanë shumë rezerva brenda. Këtë projektligj e shikoj si një mënyrë për të shmangur çdo lloj keqinterpretimi në të ardhmen”, tha deputeti socialist Pandeli Majko. “Nisur edhe nga dekretet që janë nxjerrë vitet e fundit dhe jo vetëm nga një president, komentet për hir të së vërtetës kanë qenë nga më të ndryshmet. Ka pasur mjaft dyshime, jo vetëm politike, por edhe më gjerë në opinionin shoqëror. Ne ende nuk jemi të gatshëm që t’i lëmë një fushë totalisht të lirë Presidentit të Republikës për ta ushtruar ai në përgjegjshmërinë e tij institutin e faljes”, tha deputeti socialist Armando Subashi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›