E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Gjyqtarët, kompetencë e Presidentit përzgjedhja e kandidaturave

Presidenti: Do të respektoj çdo votim të Kuvendit të Shqipërisë

Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka deklaruar dje se respekton të drejtën e Kuvendit që të vendosë për kandidaturat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke theksuar se edhe ai ka të drejtën kushtetuese në emërimin e tyre. “Do të respektoj çdo lloj vendimi që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky është një proces që vazhdon, që përsoset. Tani këto kandidatura kanë shkuar atje. I takon Kuvendit. Nuk mund të bëj asnjë lloj promocioni për askënd dhe patjetër që do pres vendimin, të cilin do e marrë Kuvendi. Duhet të mësohemi se në demokraci pushtetet funksionojnë në këtë mënyrë”, tha Topi. I pyetur nëse kriteret e mazhorancës që rrëzuan Vangjel Kostën, do të gjenin zbatim në emërimet e reja, përgjigjja e Presidentit ka qenë: “Po t’i referohemi Kushtetutës, Presidenti, në rastin e dekreteve, ka të drejtën t’i paraqesë në mënyrë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë kandidaturat, në rastin konkret për në Gjykatën e Lartë dhe për në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një e drejtë ekskluzive e Institucionit të Presidentit dhe jo e imja si person, sepse institucioni do të vazhdojë edhe kur të mos jem më unë President, kompetencë të cilën unë e kam bërë publike nëpërmjet një procesi shumë transparent. Gjithmonë në demokraci çdo institucion ka nevojë të përsoset, kështu që nuk duhet të frikësohemi nëse ka tentativa për ta bërë një proces më korrekt. Në këtë rast nuk fola për asnjë institucion tjetër, fola për institucionin që unë mbuloj. U takon institucioneve të tjera, në rastin konkret, institucionit të Kuvendit të marrë të gjitha vendimet që janë në kompetencë të tij. Nuk do ia lejoja vetes të bëja koment për një përgjegjësi, për një kompetencë që nuk është e imja. Do të respektoj çdo lloj vendimi që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky është një proces që vazhdon, që përsoset, por ju siguroj dhe për këtë ju siguroj në cilësinë që kam si kryetar shteti, i tërë procesi i përzgjedhjes dhe i dërgimit të kandidaturave është bërë jo thjesht për ekzibicion, por është bërë me një grup profesional jashtë vullneteve për të bërë supervizion për çdo kandidaturë, së pari mbi bazën e kërkesave të ligjit dhe së dyti mbi bazën e CV-ve personale të të gjithë këtyre personave. Tani këto kandidatura kanë shkuar atje, i takon Kuvendit të shprehet”.

Dekretet

Në axhendën e diskutimeve të djeshme, në Komisionin e Ligjeve sërish nuk është vendosur dita e nisjes së seancave të pyetjeve. për tre anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në komision mësohet se kanë mbërritur edhe dokumentet shtesë, si dhe janë depozituar pyetjet në drejtim të tre gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti. Pas konsultimit edhe me anëtarët e komisionit, kreu i tij, Ilir Rusmali, do të vendosë caktimin e serisë së seancave dëgjimore me tre anëtarët e dekretuar, Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj, ku pritet që përveç dosjes së sjellë nga Presidenca, do të shikohen edhe dokumente të tjera të gjetura në institucionet ku tre gjyqtarët kanë punuar gjatë viteve. Javën e kaluar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zgjodhi tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke emëruar tre juristë që nuk kanë pasur një “background” politik në kohën e regjimit komunist, por ka dekretuar një nga emrat që dy vjet më parë është rrëzuar nga mazhoranca. Bëhet fjalë për gjyqtarin Medi Bici, i cili bashkë me Vexhi Muçmatajn dhe Sokol çomon janë dekretuar nga kreu i shtetit, si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›