E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Interpelanca për krizën ekonomike, prioritare

Grupi parlamentar i PS, drejt nismave parlamentare

Rikthimi i Partisë Socialiste në jetën parlamentare ka hapur rrugën për inkuadrimin e saj të plotë në debatin politik dhe institucional. Pas një serie denoncimesh publike dhe ushtrimit të opozitës së deklaratave për shtyp, duket se selia rozë do të riciklojë interpelancën si instrument politik në kontrollin e qeverisë dhe ndërmjetësimin e informacionit për qeverisjen tek opinioni i gjerë. Situata ekonomike me gjasë pritet të jetë në qendër të aksionit parlamentar socialist, i cili do të formalizojë axhendën në mbledhjen e grupit kuvendor. “Natyrisht në mbledhjen e grupit do të diskutohet për angazhimin tonë parlamentar dhe unë mendoj se në përputhje edhe me interesin e gjithë qytetarëve, por edhe me shqetësimet e ngritura në mënyrë konstante nga PS-ja, një interpelancë për situatën ekonomike do të jetë ndër prioritetet tona”, deklaroi dje për “Shqip” deputeti Arben Malaj. Kështu, ai ka bërë të ditur se diskutimi politik brenda selisë rozë ka hyrë në rrjedhën normale të formatit të një opozite që kontrollon aktualisht 65 vende në Parlamentin shqiptar. Situata ekonomike, panoramë e së cilës si media ashtu dhe opozita ka nisur së fundmi ta japë përmes shifrave konkrete, është rimarrë nga PS-ja si prioritet i fushatës së saj në komunikimin me opinionin. Madje, ajo është integruar edhe në devizën e re të turit në bazë të kreut Edi Rama, i cili prej disa javësh e ka barazuar angazhimin për hapjen e kutive me atë të zëdhënies për rënien ekonomike në vend. Një interpelancë në këtë drejtim, ushqehet edhe nga shifrat e fundit të Bankës Botërore, që vënë theksin te deficiti buxhetor i Shqipërisë, apo klima e investimeve. Nuk duhet harruar se edhe shitjen e hotel “Dajtit” për një vlerë prej 30 milionë eurosh Partia Socialiste e analizoi në kontekstin e një krize, të cilën qeveria po përpiqet me çdo kusht ta mbulojë dhe minimizojë shfaqjen e simptomave. Ndërkohë grupi pritet të diskutojë edhe problemet e krijuara lidhur me ndryshimin e rregullores, që ka provokuar reagimin e fortë të PS-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›