E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhoze Murinjo sfidon të kaluarën: Çelsi nuk duhej të më shkarkonte

Deklarata Tekniku portugez beson se blutë nuk arrijnë të fitojnë prej largimit të tij nga “Stemford Brixh”

Zhoze Murinjo kthehet ai i zakonshmi. Pas vlerësimeve, mallëngjimit dhe fjalëve të buta për çelsin, tekniku portugez ka nxehur sfidën ndërmjet bluve dhe Interit, që do të luhet javën e ardhshme. Ashtu si ndodh zakonisht përpara ndeshjeve më të rëndësishme, ai kërkon të largojë vëmendjen e mediave nga skuadra dhe ta tërheqë te vetja: kjo është mënyra sesi “Mou” zbut presionin ndaj lojtarëve të tij. Megjithatë, Inter-çelsi mbetet sfida e “Specialit”, i cili është një idhull për mbështetësit e të dy këtyre klubeve, ndërkohë që urrehet nga të gjithë tifozët e tjerë. Murinjo ka nxehur përballjen në stadiumin “Meaca” me një intervistë të dhënë për revistën “Nuts”: “Nëse drejtuesit e çelsit donin që të vazhdonin të fitonin, ata duhet të më kishin mbajtur në krye të skuadrës… Skuadra londineze ka vuajtur gjatë dy sezoneve të fundit dhe nuk është rastësi që kjo ndodhi menjëherë pas shkarkimit tim nga posti i trajnerit”. Në dy sezonet e fundit blutë kanë fituar vetëm një trofe, FA Cup 2009, ndërsa një vit më parë ata humbën finalen e Champions League në Moskë kundër Mançester Junajtid. “Lidhja që ishte krijuar ndërmjet trajnerit, skuadrës dhe tifozëve ishte unike, vazhdoi Murinjo. Kur ‘magji’ të tilla prishen, më pas është e vështirë që gjërat të rregullohen. Gjatë kësaj periudhe në ‘Stemford Brixh’ kanë punuar shumë trajnerë, por asnjëri prej tyre nuk është dashur si unë, ndoshta sepse klubi kërkoi ndryshime rrënjësore… Që prej fillimit e kisha të qartë se me një pronar si Abramoviç do të ishte e vështirë të mbaje një punë afatgjatë: është situata tipike ku je i detyruar të fitosh menjëherë, ose të thuash lamtumirë…”.

Sfida me çelsin ka edhe pak shijen e derbit, duke qenë se në stolin e ekipit anglez tashmë është ish-trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti. “Nuk jemi miq dhe kjo nuk ka për të ndryshuar, theksoi tekniku zikaltër. Të shohim nëse Ançeloti do të lërë në ‘Stemford Brixh’ një rekord të ngjashëm me atë që kam unë… Në Angli, trajnerët e huaj, që ofrojnë eksperiencën e tyre, respektohen, ndërsa në Itali ndodh e kundërta. Gjithsesi, Interi më ka thirrur për të fituar Champions-in dhe unë do të përpiqem ta realizoj këtë objektiv”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›