E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet procesi i verifikimit të tokave

10/03/2009  Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Ngecin komisionet vendore

Sekretariati i Komisionit Qendror do të rishikojë disa prej pikave

Bllokohet procesi i verifikimit të tokave. Komisionet vendore të ngritura pranë prefekturave ende nuk kanë një vendim mbi të cilin të marrin vendime për kërkesat që qytetarët kanë depozituar prej muajit tetor. Vendimi për këtë çështje i miratuar në Këshillin e Ministrave është kthyer pas nga Sekretariati i Komisionit Qendror me në krye zëvendëskryeministrin e vendit Genc Pollo. Lajmin e konfirmojnë burime pranë komisioneve vendore në prefektura. Vendimi do të hynte në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, gjë që nuk ka ndodhur.

Rishikimi

Burime zyrtare pranë komisioneve vendore të Verifikimit të Titujve të Pronësisë bëjnë të ditur se ka qenë vetë sekretariati i komisionit qendror që ka kërkuar të kthehet për rishikim vendimi për këtë çështje. Kjo do të thotë se akoma komisionet vendore nuk mund të nxjerrin asnjë vendim konkret. Specialistët e këtyre komisioneve shpjegojnë se numri i kërkesave dhe ankesave vjen duke u shtuar çdo javë.

Tirana

Në komisionin e prefekturës së Tiranës ka arritur në mbi 600 numri i ankesave. Nga këto numrin më të madh ankesash e zënë ato që janë paraqitur nga fermerët dhe pjesa tjetër ka ardhur nga zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Verifikimi i tyre do të bëhet një për një në zonat bregdetare, si dhe në zonat ku kanë qenë ish- ndërmarrjet bujqësore. Kashari, Farka, Kamza, por edhe Golemi do të kenë vendime të vështira për t’u marrë, sepse presupozohet që kanë më shumë abuzime.

Komisioni

Komisionet do të funksionojnë mbi bazën e rregullave të unifikuara me vendim të Qeverisë. Në të pritet që të përcaktohen të gjitha procedurat që do të ndjekin komisionet e posaçme, që kanë nisur punën prej tetorit të vitit të kaluar. Sipas specialistëve të komisionit, në VKM duhet të përcaktohen edhe dokumentet që duhet të paraqesin qytetarët që kërkojnë verifikim të titullit të pronësisë, apo shqyrtim të një pretendimi të tyre në lidhje me titullin e pronësisë. VKM-ja do të përcaktojë edhe mënyrën e komunikimit institucional të komisioneve me komunat, por edhe formën e vendimeve që do të marrin komisionet, në mënyrë që të mos jetë e kontestueshme apo e ndryshme nga komisionet e tjera të ngritura pranë prefekturave të tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›