Bochardt: Integrimi pas reformave
"Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian varet vetëm nga reformat dhe plotësimi i kushteve të kërkuara nga ndërkombëtarët". Këtë fakt e ka ritheksuar ambasadori gjerman Bochardt gjatë përurimit të një ujësjellësi në Berat, ku ndodhej së bashku me shefin e qeverisë. "Integrimi ka të bëjë me plotësimin e disa kushteve. Për këtë ne duhet t'i bëjmë të qartë qytetarëve në Europë se vendet kandidate për statusin i plotësojnë këto kushte. Por nga ana tjetër, ne e dimë që këto kushte janë të vështira për t’u plotësuar dhe pikërisht për këtë arsye ne e kemi rritur mbështetjen tonë për Shqipërinë", tha Bernd Bochardt, ambasador i Gjermanisë në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha ka qenë dje për herë të dytë brenda këtij viti në Berat, nga ku ka premtuar se Boshti i Jugut është prioritet i qeverisë shqiptare. Duket se mazhoranca ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale dhe Kryeministri Berisha shoqërohej në Berat nga dy ministrat Genc Pollo dhe Sokol Olldashi dhe nga të gjithë deputetët e PD-së në Qarkun e Beratit. Kryeministri ka prerë dje shiritin e punimeve për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit Berat-Kuçovë. I shoqëruar nga ministrat Pollo e Olldashi, Kryeministri Sali Berisha mbërriti në lagjen “Uznovë” të këtij qyteti ku preu shiritin e fillimit të punimeve për përurimin e nisjes së këtij investimi të rëndësishëm që do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm për 120 mijë banorët e qytetit të Kuçovës. Investimi prej 4.6 milionë eurosh nga banka gjermane K.F.V. do të mundësojë shtrirjen e rrjetit prej 12.5 kilometrash nga Berati drejt Kuçovës. Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori gjerman Bernad Borchardt si dhe drejtoresha e K.F.V-së. Në fjalën e tyre dy krerët vendorë, kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, si dhe ai i Bashkisë së Kuçovës, Artur Kurti, falënderuan qeverinë gjermane për këtë investim që jo vetëm do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e Kuçovës, por do të minimizojë humbjet në rrjet në qytetin e Beratit për shkak të rikonstruksionit të rrjetit që është krejtësisht i amortizuar. Kryeministri Sali Berisha u shpreh përpara qytetarëve të këtij qyteti pas prerjes së shiritit të inaugurimit se “jam sot me ju për të ndarë gëzimin e fillimit të punimeve të projektit më jetik për qytetarët e Kuçovës. Investimi i bankës gjermane K.F.V, qeverisë gjermane, taksapaguesve gjermanë dhe qeverisë shqiptare do të mundësojë fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit Berat-Kuçovë, që do të furnizojë me ujë të pijshëm të një cilësie të lartë banorët e Kuçovës”. “Unë dua të falënderoj qeverinë gjermane për ndihmën e rreth 1 miliard eurove që ka dhënë për vendin tonë në gjithë këto vite. Qeveria gjermane ka investuar nga alpet deri në Jugun e vendit, duke plotësuar projektet më jetike si investimet në ujë, energji elektrike, infrastrukturë. Gjej rastin që të falënderoj kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila që pas që takimit tonë në Berlin mbajti premtimin për dyfishimin e mbështetjes financiare që do t’i jepte Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
#