E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Njohim ligjin, jo ARMO-n

Ministri i Financave mbështet veprimin e tatimorëve për bllokimin e aktivitetit të kompanisë së naftës, e cila nuk paguan taksa

TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbështeti dje publikisht ndërhyrjen e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier për bllokimin e aktivitetit të kompanisë ARMO për mospërmbushje të detyrimeve ndaj shtetit.


Bode theksoi se ligji duhet të zbatohet njëlloj për të gjitha bizneset pavarësisht emrit që ato mbajnë. "Administrata fiskale nuk njeh emra kompanish, njeh biznese të cilat janë ose jo korrekt me ligjin. Të gjitha kompanitë janë në një situate investigimi të thelluar nga administrata për të evidentuar shmangiet fiskale nga mosrespektimi i ligjit", - tha ai.


Katër ditë më parë, me urdhër të Drejtorisë së Tatimpaguesve të mëdhenj të Fierit, policia tatimore e këtij qarku bllokoi punën në rafineritë e përpunimit të naftës të kompanisë ARMO.


Pas këtij veprimi administratorë të kompanisë theksuan se që në momentet e para të privatizimit kompania ARMO nuk ka qenë e pajisur me një sërë lejesh të ushtrimit të aktivitetit, ndërkohë që bllokimi është i pabazuar në ligj dhe i shkakton kompanisë një dëm financiar që shkon në afro 5 milionë euro në ditë.


Në lidhje më këtë reagoi edhe drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duke theksuar se bllokimi i punës së kësaj kompania është bërë për shkak se ajo nuk është pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim te magazinave tatimore ashtu siç e kërkon ligji.


"Tatimpaguesi "ARMO" sh.a nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcize si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky Ligj.


"ARMO" sh.a gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm", - theksohet në qëndrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.


Më tej në deklaratën e tatimeve theksohet se pavarësisht se ndaj kësaj kompanie janë bërë thirrje të herëpashershme për plotësimin e detyrimeve ligjore ato nuk janë marrë parasysh.


***************************

Lamaj: Padi do të këtë për drejtuesit e kompanisë dhe për drejtuesit e autoboteve që kanë shkelur ligjin


Tatimet padisin ARMO-n në prokurori


FIER- Me gjithë urdhrin e lëshuar nga Drejtoria e Rajonale e Tatimpaguesve të mëdhenj të Fierit për bllokimin e aktivitetit në rafineritë e naftës të kompanisë ARMO, prej dy ditësh punonjësit vazhdojnë punën normalisht.


Furnizimi i autoboteve me bitum në të dy uzinat e shoqërisë, si në Uzinën e Përpunimit të naftës në Fier ashtu edhe në Kombinatin i përpunimit të Thellë në Ballsh ka vazhduar pa asnjë problem. Të dyja këto uzina kanë katër ditë që janë bllokuar nga dega e tatimeve Fier. Por, ky vendim i tatimorëve nuk është respektuar nga përfaqësuesit aktual të "ARMO-s".


Në kushtet e krijuara ku autobotet e ngarkuara nuk kanë përfillur edhe ndalimet që u janë bërë nga tatimoret i janë drejtuar për ndihmë prokurorisë së rrethit Fier. Drejtori i drejtorisë rajonale të tatim-taksave në këtë qark, Halil Lamaj shprehet se për këtë rast juristët janë duke përgatitur një padi penale ndaj kompanisë "Armo".


Duke mos cilësuar emra konkretë të personave që do të paditen, ai është shprehur se do ketë kallëzim për të gjithë ata individë që kanë cenuar shenjat e bllokimit të tatimeve. Sipas Lamajt padi do të këtë edhe për drejtuesit e kompanisë si dhe për drejtuesit e autoboteve të cilët kanë dalë nga rafineria me bitum.


Pritet që padia të dërgohet sot në prokurori e cila sipas drejtorit Lamaj pritet të jetë institucioni që do të zgjidhë përfundimisht këtë problem ligjor.


Ndërsa janë bërë gati dokumentet nga tatimorët në drejtim të prokurorisë, sipas drejtorit të rafinerisë Bledar Myftari, punonjësit nuk kanë hyrë për të punuar por me qëllim riparimin e disa dëmtimeve që kanë pësuar disa tubacione siç është rasti i uzinës së Fierit ku është edhe dëmi më i madh.


Ndërsa lidhur me faktin se në këtë mënyrë shkelet vendimi i tatimeve drejtuesi e ARMO-s, Myftari theksoi se hyrja në rafineri dhe zhvillimi i riparimeve është në kundërshtim me këtë urdhër, por kjo erdhi pasi nëse nuk do të ishte ndërhyrë dëmet do ishin shumë herë më të larta se ato që kanë ndodhur aktualisht.


Për sa i përket denoncimit që do të dërgohet sot nga tatimet Myftari është shprehur se nuk ishte në dijeni të këtij fakti.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›