E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunistët e Kinës dhe demokratët shqiptarë sollën ndryshimin

21/04/2009  Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha vlerëson raportet pozitive mes dy vendeve

Kryeministri Sali Berisha ka bërë një paralelizëm mes angazhimit dhe reformave të kryera nga Partia Komuniste e Republikës Popullore të Kinës dhe forca politike që drejton, Partia Demokratike. Për kreun e qeverisë shqiptare këto dy partia kanë mundur të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve në dy vendet respektive. “Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë forcat politike që kanë ndryshuar në mënyrën më rrënjësore vendet e tyre me programet e paraqitura”, - ka deklaruar nga Pekini kreu i qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha gjatë qëndrimit të tij në vendin e largët aziatik ka zhvilluar një takim të veçantë me Presidentin Hu Jintao, me të cilin ndau vlerësimin se kjo vizitë përbën një pikënisje të re për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare e kulturore mes dy vendeve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, gjatë këtij takimi Berisha është shprehur se qeveria që drejton e konsideron një thesar shumë të çmuar miqësinë e popullit kinez. Ai tha se Shqipëria e konsideron Kinën një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë. Duke u ndalur në investimet në vend, shefi i ekzekutivit tha se Shqipëria është një vend i vogël, por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez. “Qeveria shqiptare është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Europën”, - ka deklaruar Berisha. Ai e njohu Presidentin Hu Jintao me reformat e ndërmarra nga qeveria që drejton për zhvillimin e vendit, duke theksuar se janë bërë përparime të mëdha në fushën ekonomike, ku vetëm në periudhën dhjetor 2008-janar 2009 janë nënshkruar 3.5 miliardë dollarë kontrata në fushën e energjisë dhe fusha të tjera. Nga ana e tij Presidenti Hu Jintao e konsideroi kreun e qeverisë shqiptare një mik të vjetër të popullit kinez. Ai theksoi se marrëdhëniet dypalëshe gjatë qeverisjes së kryesuar nga Berisha në katër vjetët e fundit kanë marrë një hov të ri. Ai vlerësoi se drejtimi i Kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dyja palëve. Në këtë kontekst, presidenti kinez nënvizoi se kjo vizitë përbën një pikënisje të re historike për zgjerimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës në fushat e ekonomisë, tregtisë së ndërsjellë, shkëmbimeve kulturore etj., një hap i ri i miqësisë sonë në shekullin e 21-të. Presidenti kinez është shprehur se forcimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare përbën një prioritet për qeverinë kineze dhe se ai do të inkurajojë biznesin kinez të investonte në Shqipëri. Kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar ditën e djeshme edhe një takim me zëvendëskryeministrin e Kinës Hui Liangyu. Kryeministri Berisha tha se optimizmi i Kinës për daljen nga kriza është shumë i rëndësishëm, sepse Kina ka ekonominë e tretë në botë dhe për këtë arsye ka peshë të madhe në mbarëvajtjen e ekonomisë botërore. Numri dy i qeverisë kineze është shprehur se ekziston një vullnet i plotë për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat.

Berisha tregon forcën te Muri i Madh Kinez

Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në Murin e Madh Kinez, që është vlerësuar si një ndër mrekullitë e botës, ka thyer një rekord ndërkombëtar: ai është ngjitur në pikën më të lartë. Me këtë rast atij i është akorduar një certifikatë si kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të Murit të Madh Kinez. Gjatë kësaj shëtitjeje kreu i qeverisë shoqërohej nga ministrat Genc Ruli, Ritvan Bode dhe Lulzim Basha, të cilën nuk mundën të mbanin hapin e shefit të tyre. “Nuk e meritojnë certifikatën e ngjitjes”, - është shprehur me shaka Kryeministri Berisha në çastin kur ai ka marrë në dorë dokumentin e njohjes së kësaj arritjeje fizike. Vizitën në Murin e Madh Kinez Kryeministri Berisha e ka shfrytëzuar edhe për të lëshuar një mesazh elektoral. “Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur e kryeministrave që kanë vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër është pjesa zyrtare”, - ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›