Topalli kërkon votën e banorëve të Bushatit
21/04/2009 “Në katër vjet ne ndërtuam në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama theu vetëm rekordin e lejeve të ndërtimit për miqtë e tij”, - ka qenë ky refreni i fjalimit që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka mbajtur në takimin që zhvilloi me banorët e komunës së Bushatit. Ajo i falënderoi ata për mbështetjen dhe besimin që po i japin qeverisë për reformat për ndryshim dhe u kërkoi votën më 28 qershor për vijimin e këtyre reformave. Duke krahasuar arritjet e qeverisjes në këta katër vjet me atë çka rezulton nga drejtimi i Tiranës, Topalli tha se ndërsa në 4 vjet qeveria ka rritur rrogat dhe pensionet, kryetari i Bashkisë së Tiranës në 9 vjet ka rritur vetëm taksat. “Ne kemi ndërtuar dhe po vazhdojmë të ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë, ndërsa në 9 vjet Edi Rama u mor vetëm me fasadat dhe nuk arriti të ndërtonte as qendrën e kryeqytetit tonë”, - u tha ajo banorëve.