E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i të djathtëve paralizon KRRT-në

Durrës Dako: Do t’i drejtohem gjykatës

Situatë e ngarkuar politike në Durrës, kryebashkiaku deklaron se do t’i drejtohet gjykatës për të zgjidhur ngërçin që po pengon zhvillimin normal të qytetit. Mosfunksionimi i KRRT-së ka krijuar përplasje të reja mes bashkisë dhe të djathtës, e cila ka vendosur të mos marrë pjesë në mbledhjet e këtij organi teknik në rast se porti i peshkimit nuk përfshihet në rendin e ditës. Kokëfortësia mes të dyja palëve ka bllokuar prej kohësh veprimtarinë e KRRT-së, që kryebashkiaku Dako dhe njëkohësisht kryetari i këtij këshilli deklaron se do të shkrijë. Menjëherë pas deklaratës së Dakos kanë reaguar anëtari i KRRT-së, Ardian Muka, dhe prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, duke deklaruar se nuk është në kompetencë të kryetarit Vangjush Dako shkrirja e Këshillit të Rregullimit të Territorit. Të dy e kanë konsideruar si kokëfortësi të Dakos mosfutjen e portit të peshkimit në rendin e ditës për ta kaluar në votim. Nga ana e tij Dako e ka cilësuar mospjesëmarrjen e tetë anëtarëve në mbledhjen e KRRT-së një vendim politik të së djathtës me pasoja në jetën publike. Në këtë mënyrë porti i peshkimit dhe kundërshtimet mbi të vazhdojnë të mbajnë peng funksionimin e KRRT-së në Bashkinë e Durrësit. Mbledhja e radhës ka dështuar sërish për shkak të mungesës së tetë anëtarëve të djathtë të këtij këshilli teknik, nga 15 anëtarë gjithsej, ndërsa kryetari i tij, Vangjush Dako, ka deklaruar se do t’i drejtohet gjykatës ose do të kërkojë shkrirjen e saj përderisa KRRT-ja aktuale nuk po kryen funksionet. Prefekti i qarkut, Genci Alizoti, tha për gazetën se Dako nuk mund të ngrejë gishtin e akuzës për investimet publike: “Le të bëjë një mbledhje vetëm për këto investime dhe unë do t’i dërgoj katër anëtarët e prefekturës për t’i shqyrtuar e kaluar ato”. Dje në rendin e ditës ishin përfshirë për shqyrtim 67 leje ndërtimi, 16 studime të pjesshme urbanistike, 78 kërkesa për leje sheshi, si dhe 37 kërkesa të ndryshme për ndryshime në projekte e destinacion. Përveç bllokimit të shqyrtimit të rasteve të sipërmarrësve privatë në fushën e ndërtimit, Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit përmes mofunksionimit ka bllokuar edhe disa investime publike për rikonstruksion sheshesh dhe rrugësh. Molla e sherrit është bërë porti i peshkimit, një investim i qeverisë që ka hasur në kundërshtimin e fortë të bashkisë lidhur me vendndodhjen e tij, e cila, sipas Dakos, bie ndesh me planin rregullues të qytetit dhe gjykimin e specialistëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›