Dëmshpërblimi i përmbytjes, nisin akuzat për diferencime
Banorët e Nënshkodrës dhe lagjet periferike të qytetit të dëmtuara nga përmbytja kanë reaguar ashpër në lidhje me dëmshpërblimet që do të japë qeveria. Ka nga ata banorë që edhe pse kanë pasur 1 metër ujë në shtëpi nuk u figuron emri në listat personave që do marrin dëmshpërblim, ndërkohë që ka dhe nga ato familje që janë të pakënaqura me masën e vlerësimit të dëmit, që e konsiderojnë qesharake.
Një nga zonat më të përmbytura në qytet ka qenë lagjja “Ajasëm”, buzë lumit Drin. Në këtë zonë në kohën përmbytjeve uji arriti deri në dy metra. Një nga banorët e kësaj lagjeje, Pëllumb Fushazi, thotë se shtëpia e tij u përmbyt dhe u shkatërrua gjithçka, emri tij nuk figuron tek asnjë listë dëmshpërblimi. “Në shtëpinë time dallohet qartë shenja ku ka qenë niveli i ujit dhe po ta shikosh uji është pak pa mbërritur në tavan, gati 2 metra. Në shtëpinë time gjithçka është e shkatërruar. Më duket absurde, qesharake dhe fyese që unë nuk figuroj në asnjë listë dëmshpërblimi. Nuk di ç’të bëj, kujt t’i drejtohem? Komisioni më tha “na fal” po si mund të kompensohet i gjithë dëmi me një ndjesë”, tha Pëllumb Fushazi. Në shtëpinë e tij duken qartë pasojat e përmbytjes dhe nuk duket aspak normale që dëme të tilla të mos merren parasysh.
Një tjetër banor i lagjes “Ajasëm”, Ramazan Shkemi, thotë se “më duket se u tallën me ne. Më kanë vënë 10 mijë lekë të reja dëmshpërblim kur të gjitha pajisjet shtëpiake më janë shkatërruar. Nuk na ka mbetur gjë tjetër vetëm t’i hedhim në gjyq”. Ramzan Shkemi tha gjithashtu se “Kemi informacione se ka shtëpi që nuk kanë pasur më shumë se 20 cm ujë dhe kanë marrë 10 milionë lekë të reja dëmshpërblim”.
Ndërkohë, drejtues të Qarkut Shkodër thonë se ende nuk janë publikuar zyrtarisht listat dhe se listat e botuara ne gazeta nuk janë marrë në Qarkun e Shkodrës. “Nëse gazetat e kanë burimin e saktë mundet që të ketë gabime shtypi dhe pasaktësi teknike, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të jetë bërë ndonjë gabim nga grupet e verifikimit”, tha një nëpunës i Qarkut të Shkodrës.
#