Komisionerët para gjyqit, seanca shtyhet për 1 prill
është shtyrë paraditen e së martës seanca e parë gjyqësore në ngarkim të 6 komisionerëve të Komunës Portëz, të cilët nuk mundën të tërhiqnin bazën materiale për votimet e 28 qershorit. Komisionerët e dy qendrave të votimit me nr. 3120 dhe 3119, konkretisht të fshatit Kraps e Plyk janë përballur dje me trupin gjykues të kryesuar nga gjyqtari Piro Sota, ndërkohë që prokuror i çështjes ka qenë çlirim Sino, i cili ka hetuar edhe dosjen e Ruzhdies. Gjykimi për gjashtë komisionerët: Mane Goxhaj, Kastriot Hoxhaj, Abedin çobaj, Lefter Kallashi, Tajar Behari dhe Riza Metaj do të merret në seancën e radhës, që është vendosur të mbahet më 1 prill, pasi seanca e parë u shty me kërkesë të avokates mbrojtëse të Tajar Beharit. Avokatja Siçiljana Lisi ka kërkuar kohë për t’u njohur me dosjen e klientit të saj. Nga gjashtë komisionerët e këtyre dy qendrave të votimit vetëm njëri ka preferuar të mbrohet me avokat, ndërsa 5 të tjerët kanë deklaruar vetëmbrojtje. Kallëzimi ndaj komisionerëve është depozituar nga KQZ më 28 qershor dhe shqyrtimi nga Prokuroria e Fierit ka nisur dy ditë më pas, për kundërvajtjen penale "Braktisje të detyrës nga anëtarët e komisionit të zgjedhjeve", parashikuar nga neni 169 i Kodit Zgjedhor. Në bazë të kallëzimit të KQZ-së këta komisionerë nuk janë paraqitur pranë KZAZ-së me nr. 19 për të tërhequr bazën materiale, duke u mohuar kështu qytetarëve të drejtën e votës. Bojkoti i 28 qershorit ishte paralajmëruar tre muaj para zgjedhjeve nga banorët e fshatrave Kraps dhe Plyk, të cilët dolën në protesta të vazhdueshme, duke kërkuar riparimin e rrugës që lidh fshatrat e tyre me Fierin.
#