Korçë, nisin hetimet për Omonian
Një ditë pas publikimit të skandalit të vizave greke, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet ndaj degës së “Omonias” në qytet. Anëtari i “Omonias”, Naum Disho, ka ngritur një padi për goditjen në zyrat e “Omonias”, ndërkohë që me depozitimin e procesverbaleve të marrjes në pyetje të personave kanë nisur hetimet edhe për rastin e marrjes së parave kundrejt lëshimit të vizave greke nga ana e kreut të zyrës, Spiro Lici. Dosja me materialet për këtë çështje i ka kaluar Prokurorisë së Korçës e cila pas regjistrimit të dokumentacionit të paraqitur nga policia do të nisë verifikimet. Sipas të dhënave nga policia ka nisur çështja penale, por ende nuk është saktësuar në rast se në procedim do të jetë vetëm Spiro Lici, apo edhe persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me të dhe kanë qenë në dijeni për dhënien në mënyrë të paligjshme të vërtetimeve me anë të të cilave siguroheshin viza greke. Një pjesë e qytetarëve janë marrë në pyetje nga policia dhe pritet që edhe prokuroria të nisë hetimet mbi këtë çështje. Një numër i madh ankesash nga qytetarët i janë drejtuar një ditë pas sherrit zyrës së “Omonias” në Korçë, duke kërkuar t’u kthehen paratë dhe dokumentet, ose në të kundërt t’u sigurohen vizat. Axhire Abedini është një e moshuar që ka paguar 200 euro për një vizë greke. Ajo thotë se nuk do të largohet nga zyrat e “Omonias” pa marrë lekët e paguara për një vizë që nuk e ka marrë kurrë. “Kam tre muaj që kam bërë pagesën. M’u kërkuan 200 euro dhe të gjitha dokumentet që duhen për vizë dhe pasaportë. U interesova disa herë, por viza më thanë se nuk kishte dalë, sepse sipas kryetarit duhet të plotësohej numri i personave që të niseshim me autobus për në Greqi. Prej tre muajsh unë nuk e kam marrë vizën dhe dokumentet më kanë mbetur në zyrat e “Omonias”, ndaj kam ardhur t’i kërkoj. Ose të më kthejnë paratë ose në të kundërt të më japin një vizë. Unë kam paguar dhe madje i kam marrë lekët borxh për këtë vizë për të shkuar te fëmijët për vizitë”, tregon e moshuara. Si Axhire Abedini kanë qenë të paktën 15 qytetarë që kanë regjistruar emrat në listën e personave ankimues. Në orët e mëngjesit në zyrat e “Omonias” janë paraqitur 15 ankesa, ndërkohë që zyra ka qenë e hapur për pritjen e qytetarëve dhe të shqetësimeve të tyre deri në orën 11.00. Për secilin person është mbajtur shuma përkatëse që ka paguar pa asnjë mandat.
Ndërkohë, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Korçë ka dhënë dje të tjera detaje në lidhje me skandalin e vizave.
Theodhoros Ikonomu tha se nga ana e kreut të “Omonias” ka pasur disa tentativa për të futur persona me dokumente false për viza, madje në një rast, sipas tij, janë paraqitur 55 persona me dokumente të rreme, të cilët do të dërgoheshin në Greqi me autobus. “Kishte përpjekje për të falsifikuar viza. Këtë e bënin me dokumente false që do të thotë viza false. Në një rast nga ana e “Omonias”, Lici ka sjellë me dokumente për viza false një autobus të tërë me 55 pasagjerë. Por ne e kapëm në kohë dhe e refuzuam”, deklaroi konsulli grek, Theodhoros Ikonomu. Ai tregon se ka pasur shumë tentative të tjera, por kanë qenë raste të vogla. I pyetur në rast se nga ana e “Omonias” janë paraqitur dokumente false për të konsideruar personat “minoritarë”, konsulli tha se këto refuzohen automatikisht nga ana e konsullatës, pasi personat që janë pjesë e minoritetit janë të dokumentuar dhe njihen si të tillë nga autoritetet e shtetit shqiptar. Sipas të dhënave, personat paraqiteshin si anëtarë të “Omonias”, edhe pse në fakt nuk figuronin të tillë.
#