Bojkotohet mësimi, gjithë studentët e UT-së protestë sot para MASH-it për diplomat
Në të gjitha departamentet e Universitetit të Tiranës sot nuk do të zhvillohet mësim, pasi studentët kanë paralajmëruar protestë përpara Ministrisë së Arsimit për diplomat. Këshilli Studentor i Universitetit më të madh në vend deklaroi dje, se për shkak të përdhosjes së diplomave të tyre, sot do të mblidhen përpara ministrisë, ku do të kërkojnë rikthimin e formatit të vjetër të tyre. Ata u shprehën se në rast se nuk do të marrin përgjigje pozitive nga zyrtarët e dikasterit, do të përshkallëzojnë më tej protestat. Në ndryshim nga ditët e kaluara, ku vetëm studentët e Departamentit të Gazetarisë kanë protestuar për diplomat, tashmë të gjithë studentët do të dalin përpara ministrisë.
I kontaktuar nga “standard”, kryetari i Këshillit Studentor për Universitetin e Tiranës, z. Ismail Hoxha, deklaroi se kjo është një masë për të arritur kërkesat e tyre. “Ne duam thjesht, që diplomat e studentëve të jenë të barasvlershme në tregun e punës. Të mos shihen me sy dyshimi nga asnjë punëdhënës dhe të mos ekzistojë frika qoftë nga studenti, qoftë nga punëdhënësi, se ajo diplomë ka vetëm vlerën e certifikatës”, – tha z. Hoxha, duke treguar se vendimi është marrë me unanimitet nga Këshilli Studentor.
“Të gjithë kryetarët e këshillit për fakultetet kanë qenë të një mendjeje, dhe pasi jemi konsultuar me kolegët tanë, studentë, vendosëm që të dalim në protestë përpara Ministrisë së Arsimit, nesër (sot) në orën 10:30, për të kërkuar rishikimin e një vendimi, që jemi të sigurt se është i gabuar. Ministria duhet të tërhiqet nga ky vendim, pasi nuk kemi të bëjmë me fatin e një apo dy, por me fatin e mijëra studentëve në të gjithë vendin”, – tha ai.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja lajmëroi se nuk do të ndalohet në rast se ministria nuk jep përgjigje pozitive. “Diplomat tona universitare po përdhosen. Nesër (sot), para MASH-it, do të kërkojmë të drejtën tonë legjitime. Protesta paqësore e studentëve do të vazhdojë deri sa të plotësohen kërkesat tona”, – tha z. Erlis Hereni.
Në protestën e paralajmëruar do të marrin pjesë edhe shoqata të mediave, të cilat i janë bashkangjitur kësaj nisme, ndërkohë që edhe një numër i madh pedagogësh kanë shprehur solidaritetin e tyre me kërkesat e studentëve. Krahas këtyre, senati akademik i Universitetit të Tiranës është shprehur se kërkesa e studentëve është e drejtë, ndërkohë që rektori Kule e ka cilësuar si të paligjshëm udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit këmbëngul se është e drejta e saj që të përcaktojë kritere për diplomat dhe se është detyrim ligjor, që të mos përcaktohet titulli profesional në to. Ndërkohë që për formatin e diplomës, zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, deklaroi një ditë më parë për “standard” se ishte e gatshme që të rishikonte qëndrimin e ministrisë, nëse kjo është kërkesa e vetme e studentëve.