E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boll me Shqipërinë

Josip Kuze është rikthyer sërish të flasë për Kombëtaren shqiptare. Ai thotë se ishte koha të largohej nga ekipi kuqezi, edhe pse presidenti Armand Duka e kishte lutur të qëndronte. Trajneri kroat ka lavdëruar futbollistët, tifozët dhe drejtuesit e futbollit shqiptar. 58 vjeçari tani preferon të drejtojë ndonjë skuadër, derisa nuk fsheh dëshirën që ta udhëheqë Kroacinë.

Vetëm pak ditë pasi ka shkëputur kontratën para kohe me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), strategu kroat Josip Kuze ka treguar arsyet e largimit nga bankina e ekipit kuqezi.

Ish trajneri i Dinamo Zagrebit në një intervistë dhënë të përditshmes kroate Jutarnji List ka thënë se ishte koha të largohej nga ekipi kuqezi, drejtimin e të cilit e kishte marrë në verë të vitit 2009.

“Kam vendosur të largohem sepse nuk kishte kuptim të jem me të njëjtën kombëtare për pesë vite. Edhe këto tri të tashme ishin të tepërta. Për këtë arsye para 6 muajve i kam thënë presidentit Duka që mos të llogaritë në mua pas skadimit të kontratës”, ka thënë 58 vjeçari.

Ai ka përsëritur edhe njëherë pse presidenti i FSHF’së, Armand Duka, e kishte lutur të qëndronte në krye të ekipit kuqezi.

“Shqipërinë e kam marrë vetëm për një sezon, kështu e kam pasur idenë, por kjo pastaj u vazhdua. Duke e ditur se ata janë njerëz seriozë dhe duhet ta gjejnë një selektor të ri ishte e rrugës që të përfundojmë menjëherë mision, edhe pse presidenti Duka në javët e fundit më ka lutur, por nuk kishte kuptim”, shtoi kroati.

Josip Kuze ka folur edhe për marrëdhëniet që kishte me futbollistët, tifozët dhe drejtuesit e futbollit shqiptar. “Krejt më kanë adhuruar, kam pasur marrëdhënie fantastike me lojtarë të cilët e kishin shprehur zërin e tyre se ‘Kuze duhet të mbetet’ dhe sigurisht se edhe me tifozët kemi pasur respekt të ndërsjellë, por edhe në FSHF ekzistonte një kryesi korrekte”, ka deklaruar ai.

Ish trajneri i disa skuadrave, si: NK Zagreb, Inter Zapresic, Rijeka, Varteks, Rot-Weiß Erfurt, Mainz 05, Gamba Osaka, JEF United, tani synon që sërish të drejtojë një klub.

“Shumë herë në Tiranë është folur që më pret puna, por nuk është e vërtetë. Është e saktë që dua të angazhohem në ndonjë klub, jam i bindur se me përvojë dhe me dituri do të ndikoja në lojë dhe sukses. Deri në dhjetor kam kontratë me Shqip¡rinë, por e di se edhe nëse do të bëj diçka, ata nuk do të paraqesin problem”, ka thënë 58 vjeçari.

I pyetur se a do ta drejtojë përfaqësuesen e Kroacisë në të ardhmen e afërt, Josip Kuze ka thënë se çdo trajner do të dëshironte ta udhëhiqte Kombëtaren kroate.

Pas largimit të Kuzes nga Shqipëria, menjëherë kanë filluar të qarkullojnë zëra për pasardhësin e trajnerit kroat. Në mediet shqiptare thuhet se kandidatë për të zëvendësuar 58 vjeçarin janë: Besnik Hasi, Matjaz Kek, Srecko Katanec dhe Erwin Koeman.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›