E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, drejt zhbllokimit rruga për në Vermosh

02/03/2010 Trashësia deri në 2 metër

SHKODER- Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë për disa javë në zonat e thella malore të qarkut të Shkodrës kanë mbajtur të izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e vendit fshatin skajor të Vermoshit. Aksi rrugor që të shpie në këtë fshat vazhdon të mbetet i izoluar pavarësisht ndërhyrjeve të shumta që janë bërë. Për rrjedhojë dhe rreth dy mijë banorët e Vermoshit kanë mbetur të izoluar. Për zhbllokimin e këtij aksi është angazhuar maksimalisht që prej 10 ditësh Ndërmarrja rajonale e Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale të qarkut Shkodër, që po punon pa ndërprerje për zhbllokimin e rrugëve në zonat e thella malore të bllokuara nga dëbora. Ndërhyrja po realizohet në sajë të një fondi emergjence të lëvruar nga Këshilli i Qarkut të Shkodrës. Puna është përqendruar kryesisht në aksin Tamarë –Vermosh, ku ka një bllokim rruge prej rreth 12 kilometrash. Drejtori Gjovalin Kodra thekson se punonjësit e ndërmarrjes që ai drejton dhe firma nënkontraktore po punojnë prej 10 ditësh, natë e ditë, për zhbllokimin e këtij aksi. Po sipas drejtorit Kodra, trashësia e dëborës dëbora arrin nga 1 metër në Selcë deri në 2 metër në qafë të Bordolecit. Vështirësia për hapjen e rrugës ka qenë e madhe jo vetëm nga reshjet e dëborës që kanë filluar sërish, por edhe pirgjet anash aksit Tamarë-Vermosh, që kanë arritur deri në 6 metër trashësi. Drejtori Kodra ka sqaruar se puna e pandërprerë ka bërë që të zhbllokohet rreth 5 kilometër e pjesës së bllokuar të aksit Tamarë –Vermosh, i gjatë 36 kilometër. Nisur nga këto ritme pune, drejtori Kodra thekson se Ndërmarrja e Rrugëve Rurale të qarkut Shkodër do të bëjë që javën tjetër ky aks të jetë plotësisht i kalueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›