E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, rrëshqitjet e dherave bëjnë të pabanueshëm disa fshatra

02/03/2010 Nënprefekti Dedë Përshpali: Banorët, të varfër për t’u shpërngulur

PUKE- Zonat e thella të rrethit të Pukës janë përfshirë këto ditë nga reshje të mëdha shiu dhe bore, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha dheu duke krijuar probleme tepër shqetësuese për banorët. Sipas nënprefektit të rrethit të Pukës, Dedë Përshpali, rrëshqitjet e dheut kanë krijuar probleme të mëdha kryesisht në komunat Iballë, Gjegjan e Qelëz. Aktualisht po ndërhyhet për rikthimin e situatës në normalitet, pasi rrëshqitjet e dheut rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve.

“Reshjet kanë shkaktuar në Pukë mjaft probleme, ndaj aktualisht shqetësimi kryesor është riaktivizimi i atyre zonave që ka pasur rrëshqitje. Realisht kemi mjaft probleme në disa fshatra që janë dëmtuar nga rrëshqitja e tokës. Kështu në komunën e Qelzës, në komunën e Iballës, në komunën e Gjegjanit ka pasur rrëshqitje të mëdha dherash”, theksoi nënprefekti i Pukës, Dedë Përshpali. Njëkohësisht nënprefekti Përshpali ka bërë të ditur se rrëshqitja e dherave ka bërë të pabanueshme disa fshatra të Pukës, por banorët nuk mund të shpërngulen, pasi ekonomia e dobët nuk e mundëson lëvizjen e ndërtimin e banesave në zona të sigurta. Sipas nënprefektit Shpërpali, zonat ku ka pasur rrëshqitje dheu dhe disa zona të tjera janë konsideruar të pabanueshme pas studimeve gjeologjike që janë bërë, por nuk ekzistojnë mundësitë financiare për shpërnguljen e banorëve dhe sistemimin në zona të sigurta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›