Borchard: Nëse doni BE-në, bëni kujdes me administratën
Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian atëherë kur të ketë një administratë të qëndrueshme dhe të pandikuar nga lëvizjet politike. Ky ishte mesazhi që përçoi dje ambasadori gjerman në Shqipëri, Borchard, i ftuar në tryezën e organizuar nga AKSES Albania, në të cilën u prezantua edhe raporti i monitorimit të qëndrueshmërisë së administratës publike për vitin 2009. Në fjalën e tij, ambasadori i Gjermanisë theksoi se kritikat më të mëdha në lidhje me ndërhyrjet e politikës në administratën publike kanë ardhur pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. “Në të shkuarën dhe pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, ka pasur herë pas here kritika publike, në lidhje me rastet e pushimeve nga puna që kanë ndodhur me nëpunësit e shërbimit publik. Janë kritikuar po ashtu edhe kriteret për rekrutimin e nëpunësve të tjerë në këto vende”, theksoi ambasadori Borchard, vendi i të cilit financon edhe projektin për monitorimin e lëvizjeve në administratë. Sipas tij, rruga që Shqipëria ka nisur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian e ka të nevojshme administratën e qëndrueshme, e cila do të jetë e aftë të përballojë objektivat që Shqipërisë i kërkohen. “Në prill të vitit të shkuar, vendi juaj dorëzoi dhe bëri publike kërkesën për anëtarësimin në BE dhe shumë prej nesh shpresojnë se vitin e ardhshëm të fillojnë edhe negociatat për anëtarësim. Me qëllim që të realizohen këta objektiva, anëtarësimi kërkon një administratë publike funksionale dhe operative”, deklaroi ambasadori, i cili nuk harroi të theksonte se Gjermania është e vendosur për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit. Por sipas Borchard, është për të ardhur keq që një pjesë e nëpunësve civilë, të cilët janë trajnuar për detyrat e tyre nga qeveria gjermane, janë shkarkuar dhe zëvendësuar me përfaqësues të partive politike. “Ne kemi financuar për administratën publike dhe ndonjëherë kemi vërejtur për fat të keq se këta njerëz, të cilët ne i kemi kualifikuar, i kanë larguar nga shërbimi publik, duke u zëvendësuar nga të tjera mbi baza të përkatësisë politike. Mbi temën e kësaj humbje njerëzore do të zhvillojmë edhe një tjetër debate”, theksoi Borchard. Nga ana tjetër, në raportin e monitorimit të administratës theksohet se ndryshimet e strukturave vazhdojnë të jenë një praktikë e pranishme në administratën publike, duke prekur e interesuar një numër të konsiderueshëm të punonjësve.
#