E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia i vë emër të koduar një foshnje

Duke bashkuar kodet policore, fëmija i gjetur në Babrru u quajt Granit Sopoti

Një foshnjë e braktisur është gjetur mëngjesin e djeshëm në Babrru, ndërkohë që policia e ka marrë dhe dorëzuar në maternitet. Bëhet fjalë për një foshnjë rreth dymuajshe të seksit mashkull, që ishte braktisur, e mbështjellë në disa rroba të vjetra dhe në një karton. Prindërit e kishin hedhur pranë një shtylle në rrugë dhe një kalimtar e ka gjetur kur ishte nisur për punë. Më vonë, foshnja është dorëzuar në maternitet, ku sipas mamive nga vetë punonjësit e policisë është “pagëzuar” edhe me emrin Granit Sopoti. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Pikërisht rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm në sallën operative të Komisariatit Nr.5 është telefonuar nga një person, i cili është prezantuar dhe ka deklaruar se pranë banesës së tij kishte gjetur një foshnjë. Ai ka shpjeguar se foshnja ishte lënë pranë një shtylle te vendi i quajtur “A2”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.5, që kanë marrë foshnjën dhe e kanë dërguar për në Maternitetin e Kamzës. Atje nuk është mbajtur për arsye se nuk e dinin nëse mund të mbijetonte, kështu që me urgjencë është dërguar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, që ndodhet në bulevardin “Zogu I”, përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Nga ana tjetër, policia ka marrë në pyetje edhe personin që gjeti fëmijën, i cili deklaroi se e kishin lënë me ca rrecka afër banesës së tij. Menjëherë ai kishte marrë rroba në banesë për ta mbajtur ngrohtë, pasi temperaturat ishin të ulëta në atë orë të mëngjesit. Por, siç duket fëmija nuk kishte shumë kohë që ishte lënë aty, pasi edhe mund t’i ishin shkaktuar probleme deri në vdekje po të kishte qëndruar gjatë.

Nga ana tjetër, burimet nga materniteti bënë të ditur se fëmijës i janë bërë të gjitha shërbimet dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është regjistruar në maternitet dhe madje i është vënë edhe një emër. Mamitë e maternitetit kanë treguar se emrin ia kanë zgjedhur vetë oficerët e policisë që kishin sjellë fëmijën. Ata kishin diskutuar për nofkat e policisë dhe kishin vendosur që të kishte emrin Granit Sopoti, e që pikërisht me këtë emër është regjistruar. Nga të dhënat mësohet se “Granit” është kodi për të identifikuar në gjuhën policore Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ndërsa “Sopoti” është emri i koduar i Komisariatit Nr.5. Kështu, djali i braktisur emrin do e ketë nga drejtoria ndërsa mbiemrin nga komisariati i policisë.

Policia shpjegoi se pas gjetjes së foshnjës kanë nisur hetimet edhe për identifikimin dhe gjetjen e prindërve të tij. Policia tha se fillimisht po shikohet nëse fëmija i përket lagjes ku u gjet, apo është sjellë nga zonat e tjera. Në dokumentimin e kësaj ngjarje do të kontrollohet se kush ka lindur gjatë kësaj kohe për të gjetur prindërit që e braktisën. Sipas policisë, mendohet se fëmija mund të jetë braktisur për shkak të ndonjë lidhjeje jashtëmartesore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›