Rama: Berisha po sfidon SHBA-në
Shqetësimi i amerikanëve lidhur me projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror është riprodhuar dje nga opozita socialiste si një qëndrim politik, i cili i kërkon qeverisë rishikimin thelbësor të nismës në fjalë. Përmes kryetarit të saj Edi Rama, selia rozë ka kërkuar publikisht “tërheqjen e menjëhershme të projektit”, duke vlerësuar se qëllimet e qeverisë me këtë iniciativë jo vetëm sfidojnë aleatin kryesor të Shqipërisë, por mëtojnë që të riciklojnë në vend kohën e SHIK-ut të viteve ’90. Si përfaqësuesi më i lartë i opozitës, Rama u është shmangur në fjalën e vet shtjellimeve teknike, por ka preferuar që ta inkuadrojë qëndrimin në dy objektiva thellësisht politikë. Së pari, duke sjellë në vëmendje cenimin që Berisha po u bën me kokëfortësinë dhe politikën e vet marrëdhënieve me SHBA-në, të cilat perceptohen gjerësisht si domosdoshmëri për mbarëvajtjen politike në vend dhe së dyti, të aktivizojë tek opinioni publik kujtesën e vitit 1997, kur prishja e raporteve me Uashingtonin dhe aktiviteti i SHIK-ut e vulosi përfundimisht fatin e pushtetit të asaj kohe.
#