E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca zbut ligjin e SHISH, por i lë kompetenca Kryeministrit

Komisioni i Sigurisë miraton projektin nen për nen dhe e kalon në seancë

Mazhoranca heq pikën e shumëdiskutueshme të draftit të Shërbimit Informativ Shtetëror, por sërish i ka lënë një shteg kontrolli Kryeministrit mbi shefin e Shërbimit Sekret. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, është ndryshuar pika 10 e nenit 3 të ligjit, e cila në variantin fillestar i jepte kompetencë Kryeministrit që të vendoste për operacionet që SHISH do të lidhte me agjencitë e huaja, ndërsa me ndryshimin që është bërë tani, Kryeministri jep vetëm miratimin në parim në marrëveshjet që SHISH lidh me shërbimet partnere. SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Ndërkohë, në variantin e miratuar dje theksohet se SHISH merr miratimin në parim nga Kryeministri, ndërsa është hequr fraza e fundit. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Sigurisë është zhvilluar sërish me dyer të mbyllura dhe në orët e pasdites ka folur kreu i këtij komisioni, Leonard Demi, i cili ka theksuar se është miratuar nen për nen drafti dhe u kalua në seancë. “Gjatë diskutimit komisioni bëri disa ndryshime të rëndësishme, që forcojnë më tej pavarësinë e këtij institucioni, paragrafi 10, neni 3, standardet demokratike dhe transparencën e tij në përputhje me kërkesat e vendeve të NATO-s. Këto ndryshime e rritin më tej veprimtarinë e SHISH-it në përputhje me kërcënimet e sotme që i bëhen sigurisë sonë kombëtare dhe më gjerë, si p.sh. armët e shkatërrimit në masë”, deklaroi Demi. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë nuk kanë marrë pjesë deputetët e opozitës. Drejtuesit e komisionit, por edhe administrata e Kuvendit, nuk i kanë bërë të ditur ndryshimet e draftit për Shërbimin Informativ Shtetëror, ndryshe nga një javë më parë ku gjithçka u publikua pas mbledhjes po me dyer të mbyllura të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Drafti i SHISH-it është kundërshtuar ashpër si nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ashtu edhe nga NATO. Pas mbledhjes së djeshme u interesuam në zyrat e NATO-s në Bruksel, burime të së cilës theksuan për “Shqip” se “po e ndjekim me kujdes situatën, por Shqipëria është një vend anëtar me të drejta të plota i NATO-s dhe autoritetet e tij janë sovrane për të marrë vendimet e tyre”. Megjithatë, disa ditë më parë, në tryezën e Kryeministrit Berisha ka mbërritur një letër “top secret”, nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel. Sipas burimeve diplomatike, kjo letër kërkon bllokimin e të gjitha procedurave për miratimin e ligjit të SHISH-it, i cili, sipas Aleancës së Atlantikut Verior shkel standardet e organizatës, që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që nga viti i kaluar. Zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë quhet NOS. Në këtë dokument theksohet se përpara se të diskutohet në strukturat e legjislativit, drafti për Shërbimin Sekret Shqiptar duhet të kalojë nga kjo zyrë e aleancës, që përbëhet nga tri seksione: Zyra për Orientime të Përgjithshme, Inteligjenca për Sigurinë, si dhe Siguria e Mbrojtjes. Zyra speciale e NATO-s, në fakt përbën Agjencinë Inteligjente të Aleancës. Kërkesën që drafti i ri për SHISH-in të diskutohet më parë nga ekspertët ndërkombëtarë, sepse shkelën standardet ndërkombëtare, e ka hedhur të premten e kaluar ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, i cili deklaroi se shkelen të drejtat e një institucioni të pavarur. “Ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese”, theksoi ambasadori i SHBA-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›